Përditësim 15:00 - Dy nga katër serbët e arrestuar një ditë më parë në Gjakovë, pasi iu gjetën armë të ftohta, kanë konfirmuar se punojnë në institucione serbe të sigurisë.
Pavle Kragoviq ka thënë se punon inspektor i Policisë në Kragujevc të Serbisë. Ndërsa Milovan Steviq deklaroi është doktor, stomatolog, në akademinë ushtarake të mjekësisë në Beograd.
Në gjykatore për seancën dëgjimore lidhur me masën e sigurisë në Gjykatën Themelore në Gjakovë janë edhe Branko Rakiq i cili deklaroi se është teknik i komunikacionit dhe Nemanja Vamoviq i cili tha se është inxhinier i pylltarisë.
Rakiq dhe Kragoviq janë me dyshtetësi, kurse Steviq dhe Vamoviq janë vetëm shtetas të Serbisë.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla një ditë më parë shkroi në Facebook se në veturën ku ishin ata u gjetën dy thika, një sëpatë dhe një dritë rotative, por edhe një fotografi me fytyrat e pjesëtarëve të grupit terrorist që u vranë gjatë sulmit në Banjskë.
Prokurorja Venera Shala gjatë leximit të kërkesës për paraburgim tha se mjetet e mprehta i mbanin gjatë vizitës së manastireve ortodokse në Republikën e Kosovës. Tha se rreziku i arratisjes për të pandehurit duhet të lidhet me faktin se të gjithë janë shtetas të Serbisë dhe kjo mund t'i bëjë të paarritshëm nëse ata ikin në Serbi.
Shala se ata kanë shkuar në formë të organizuar në manastire, andaj do të mund ta rrezikonte jetën e pelegrinëve.
Avokati i Rakiqit, Hasan Hoti, ka thënë se ka gabime në qëndrime juridike.
"Nuk është kontestuese, është një çantë e mjeteve të punës për të cilat edhe i mbrojturi im deklaron se i ka përdorur në shtëpi. Është krejt i gabuar qëndrimi juridik i prokurorisë se këto mjete hyjnë në mjete të rrezikshme - armë të ftohta. As nuk ka bazë as fare hiç as për vendimin për fillimin e procedurës penale e as për caktimin e paraburgimit. Nëse vazhdojmë kështu e banalizojmë institutin e paraburgimeve", ka thënë ai.
Ai ka shtuar se nuk ka bazë për ekzistimin e kësaj vepre penale.
"Për ta ruajtur autoritetin e kësaj gjykate refuzojeni kërkesën e prokurisë dhe të gjithë pas kësaj do të themi se ka rregull, ka procedurë dhe ka ligj", ka shtuar ai.
Vamoviq ka deklaruar se automjeti ku u gjetën armë nuk ishte i tij, derisa shtoi se nuk e ka vozitur “e as s’e ka ditur se në bagazh ishin ato”.
Avokati i Kragoviqit, Teki Bokshi, ka thënë se gjësendet e gjetura nuk trajtohen si armë, por shtoi se edhe po të trajtoheshin “është e paqëndrueshme”.
I pandehuri i dytë pranoi se mjetet të cilat gabimisht janë trajtuar si armë ishin të tij.
“Prokuroria nuk ka ofruar asnjë indikacion e lëre më provë se i mbrojturi im ishte në bashkëkryerje me të bashkëakuzuarit e tjerë. Mjetet të cilat përmendet nuk janë armë në kuptim të ligjit mbi armët. Në ligjin mbi armët në bazë të nenit 77 është përcaktuar se me udhëzim administrativ duhet të caktohen armët e ftohta posaçërisht thika, kështu që në këto dispozita thuhet ndër tjera se armë duhet të jetë thika hapëse anësore, thika balistike, thika hapëse frontale, shpuesi me shtytje, rasti i pestë: thika me dorë mbrojtëse për gishta, rasti i gjashtë: thika flutur ose një pajisje tjera e cila përbëhet me tehe të mprehta apo me skaje të mprehta... Rasti i tetë thika qitëse, rasti i nëntë bajoneta dhe rasti i 10-të thika e pazbulueshme. Me udhëzim administrativ të ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës janë dhënë definicionet e sakta dhe precize se çka paraqet armë e ftohtë të cilat pjesërisht i citova”, ka thënë ai.
Ai është shprehur para trupit gjykues se e vetmja periudhë kur është shqiptuar dënim me burgim për armëmbajtje pa leje ka qenë periudha e pushtetit serb.
“Sipas një raporti të IKD të publikuar më 21 shkurt 2025 dënimet për armëmbajtje pa leje në Kosovë në periudhën 2022-2024 janë shqiptuar 147 dënime e prej tyre me dënime me gjobë e vetëm në një prej 18 rasteve tjera është shqiptar burgim...Për dënim me gjobë e dënim me kusht nuk lëshohet paraburgimi...Nuk do të ishte oportune që të caktohet masa e paraburgimit masa më ekstreme e sigurimit të të pandehurit në procedurën penale...Edhe unë i kam 45 vjet përvojë. Të vetmen kohë kur është shqiptu dënim me burg për armëmbajtje ka qenë periudha e pushtetit serb dhe në atë kohë shqiptoheshin dënimet me burg edhe për armëmbajtje pa leje. Kosova është e ngritur mbi baza të ligjshmërisë dhe barazisë së qytetarëve”, u shpreh ai.
Amer Alija avokat i Steviqit, ka deklaruar se posedimi i armëve të ftohta pa i përdorur për sulme apo për të shkaktuar lëndim trupor nuk përbën vepër penale.
“Posedimi i këtyre mjeteve nuk përbën vepër penale nëse personi nuk i përdor për sulm apo për të shkaktuar lëndim trupor. Duhet të plotësohen tri kushte: posedimi, i dyti është sulmi dhe i treti lëndimi trupor i viktimës. Prandaj po e shohim se dy kushtet e fundit nuk janë dokumentuar apo janë inekzistente. Thika e kuzhinës është mjet shtëpiak i përdorshëm për qëllime të zakonshme për piknik...Sharra dhe sëpata e vogël janë mjete të zakonshme për prerje druri apo punë fshati dhe nuk janë të ndaluara kur mbajtur në veturë për përdorim të ligjshëm. Këto mjete nuk janë mbajtur në tubime publike apo objekte publike... Në këtë rast mjetet janë gjetur në automjetin e Rakiqit i cili vetë e pranoi se këto janë mjetet e tij për përdorim në fshat”, ka thënë ai.
Alija tha se Steviq ka një biznes të vogël familjar, ku janë të punësuar familjarët e tij dhe mund të dorëzojë 2000 euro garanci.
Kërkohet paraburgimi për katër “pelegrinë” serbë
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar masë paraburgimi ndaj katër “pelegrinëve” serbë.
Qeveria në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Sigurisë, ka njoftuar se njëri prej tyre ishte toger i policisë së Serbisë, ndërsa një tjetër kapiten i ushtrisë së këtij vendi.
Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., të nacionalitetit serb, me datë 05.04.2025, në Rr. ‘Gasper Karaqi’ në Gjakovë, të pandehurit në bashkëkryerje e duke vepruar në kundërshtim me ligjin për armët, posedojnë armë të ftohta, dhe atë një sëpatë, një thikë me këllëf, dhe një thikë sharrë, në atë mënyrë që pas ndalimit nga ana e zyrtarëve policor për shkak se të njëjtit me automjetin e llojit ‘Toyota’ ngjyrë hiri, i cili drejtohej nga i pandehuri B.R., kishte tejkaluar shpejtësisë në zonën e kufizuar të shpejtësisë dhe pasi ngasësi i veturës gjatë procedimit të rregullt është pyetur nga zyrtarët policor se a posedon diçka ilegale në veturë, i njëjti ishte përgjigjur se nuk ka diçka të jashtëligjshme me vete, ku edhe kishte shprehur dëshirën për kontroll të veturës dhe pas një kontrolle të veturës nga ana e zyrtarëve policor janë gjetur mjetet e mprehta të cekura me lartë, ku te njëjtat të pandehurit i kanë mbajtur gjatë vizitës në mënyrë të organizuar në disa nga Manastiret Ortodokse në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në njoftimin e Policisë thuhet se gjatë kontrollit në bagazhin e veturës së të dyshuarve që ishte me targa të Serbisë, janë gjetur dhe sekuestruar dy thika dhe një sëpatë. Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka diskutuar të dielën në një takim lidhur me arrestimin e tyre. Është kërkuar që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë pas këtij rasti dhe atij të sulmit ndaj Postës në Zveçan.