Hyrja e kamionëve të mbeturinave në deponinë sanitare në Landovicë është pamundësuar të enjten për një orë, për shkak të protestës së banorëve të cilët po kërkojnë mbylljen e saj. Menaxhmenti i deponisë ka sqaruar para banorëve se menaxhimi është në nivel, me gjithë sasinë e madhe të mbeturinave. E zyrtarët komunalë kanë konfirmuar përmirësimin në menaxhim, ndonëse ankesat e banorëve i kanë cilësuar si legjitime
Banorët e fshatit Landovicë kanë kërkuar të enjten me anë të protestës mbylljen e deponisë sanitare në këtë lokalitet.
Ata kanë shprehur vërejtjen se menaxhimi i deponisë nuk është në përputhje me standardet evropiane dhe se si rrjedhojë po rrezikohet shëndeti i tyre, por edhe ujërat nëntokësore dhe produktet bujqësore.
Selim Morina, banor i Landovicës, ka theksuar se shqetësimet për këtë çështje janë adresuar disa herë, porse ato nuk janë marrë parasysh nga përgjegjësit.
“Arsyeja e protestës është mbyllja e kësaj deponie për shkak të dëmeve që po i bën ndaj banorëve të Landovicës, si në ujërat e pijshëm, si në ajrosje. Në çdo aspekt po na bën dëm. Kështu nuk jetohet më, ose të shpërngulemi ne si banorë, ose të hiqet kjo deponi njëherë e përgjithmonë”, ka theksuar ai.
Banori tjetër, Sedat Kalimashi, ka bërë thirrje që organet përgjegjëse ta skanojnë gjendjen në deponi, pasi që ka dyshime për ndotjen e ujërave, për të cilën arsye edhe kërkohet mbyllja e deponisë.
“Po na shkakton probleme si në aspektin shëndetësor, ashtu edhe atë ekonomik e familjar. Deponia si e tillë nuk është dashur që të bëhet në këtë vend, sepse është e ndërtuar mbi ujëra”, ka theksuar Kalimashi.
E Esat Paçarizi, menaxher i deponisë sanitare në Landovicë, gjatë diskutimit me banorët të enjten ka sqaruar se menaxhimi është në nivelin e duhur, ani se ka sasi të madhe të mbeturinave.
Ai ka pranuar se kjo deponi është dashur që të mbyllej para dy vjetësh, porse, sipas tij, Qeveria me donatorët kanë marrëveshje për ndërtimin e deponisë së re në këtë lokalitet.
standardeve në Kosovë ne e bëjmë maksimumin dhe besoj se është deponia që menaxhohet më së miri, nuk kemi deponi kaq të pastër, mirëpo erën nuk mund ta ndalim, se thash kemi 550 tonë mbeturina ditore, është sasi tepër e madhe. Ne mundohemi maksimalisht ta mbajmë sa më pastër, kundërmimin s'mundemi me e ndalë, është mbeturinë”, ka theksuar ai.
Muhamet Bajrami, udhëheqës i sektorit të menaxhimit të mbeturinave në Komunën e Prizrenit, ka pohuar se ankesat e banorëve janë legjitime, por ka shtuar se menaxhimi i deponisë është përmirësuar në vitet e fundit.
“Sa i përket shqetësimit të banorëve mendoj se kanë të drejtë, se është në afërsi të lokacionit, por kohët e fundit, mendoj vitet e fundit, është përmirësuar edhe menaxhimi i kësaj deponie, sepse mbushet me dhe, ngjeshet dhe ka një mirëmbajtje, mbikëqyrje më të mirë se si ka qenë më herët”, ka thënë Bajrami.
Deponia rajonale në Landovicë është ndërtuar në vitin 2004. Sipas të dhënave në masterplanin komunal për menaxhimin e mbeturinave projektimi ka qenë që kjo deponi të mbushet në vitin 2021.