Për shkak të rritjes enorme të importit nga Serbia, veçanërisht të produkteve konditorike, të cilat po u shkaktojnë dëme prodhuesve vendorë në Kosovë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka vendosur që të hapë hetime zyrtare për masat mbrojtëse në importe për këto produkte Lulzim Gajtani
Hapjen e hetimeve zyrtare për masat mbrojtëse në importe e ka paralajmëruar ministrja Rozeta Hajdari, në një konferencë për media. Hajdari ka bërë të ditur se gjatë nëntëmujorit të vitit 2021, importi nga Serbia i produkteve konditorike, siç janë biskotat dhe ëmbëlsirat, ka pasur rritje enorme deri në 29 për qind. Ajo ka shtuar se këto veprime po i bëjnë që t’i mbrojnë prodhuesit vendorë dhe të mos çrregullohet tregu.
“Ne kemi vërejtur që ka shumë importe së fundi nga tregu i Serbisë, kryesisht janë rritjet enorme të disa nga produktet konditorike, por së pari dua t’ju njoftoj për Ligjin për masat mbrojtëse në importe. Ligji zbatohet zakonisht për aplikimet e masave mbrojtëse në import dhe në mbrojtjen e prodhuesve vendorë në rastet kur ato dëmtohen apo kërcënohen për dëmtim serioz nga importi i mallrave të cilat ndikojnë në çrregullimin e tregut. Pra, kur kemi një rritje enorme të importit për një produkt të caktuar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak ne mund të marrim veprim”, ka deklaruar ministrja Hajdari.
E pyetur për masat konkrete që do t’i marrin për rritjen e importit për produktet konditorike, Hajdari ka thënë se do të bazohet në evidencat e komisionit vlerësues.
Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, ka thënë se në parim këto iniciativa janë të mira, porse shteti i Kosovës duhet që të ketë kujdes dhe të mos i shkelë rregullat ndërkombëtare të tregtisë së lirë, sepse, sipas tij, mund të ballafaqohet me padi.
“Pavarësisht që është në të drejtën e Republikës së Kosovës që të vendosë masa të tilla, duhet të sigurohet që jo vetëm legjislacioni, por edhe rregullat ndërkombëtare të tregtisë duhet të zbatohen në plotni para se të merren vendime të tilla, ashtu që pastaj ne të mos ballafaqohemi me ndonjë kundërmasë apo edhe me ndonjë ndëshkim nga institucionet ndërkombëtare për zgjidhjen e kontesteve”, ka deklaruar Zeka.
Eksporti i Kosovës në Serbi për produktet konditorike gjatë periudhës kohore midis viteve 2020-2021, është vetëm 1 për qind nga totali i këtyre produkteve nga Kosova.