Arbëri

Kërkohet drejtësi për të vrarët në Likoshan e Qirez

Askush nuk është dënuar edhe 26 vjet pas masakrës që policia e Serbisë e ka kryer në Likoshan e Qirez. Familjarët e të vrarëve kërkuan drejtësi, ndërkaq përfaqësuesit shtetërorë paralajmëruan se së shpejti Serbia do të paditet për gjenocid

Janë bërë 26 vjet prej kur Serbia kreu masakrën e parë në luftën e fundit në Kosovë.

Pas një përballje të armatosur me pjesëtarë të UÇK-së tek vendi që njihet “Gjashtë Lisat”, Policia u hakmor në Likoshan e Qirez. Me mjete të blinduara në tokë e me helikopterë nga qielli, ajo vrau 20 civilë, mes tyre edhe Rukije Nebihun që ndodhej në muajin e shtatë të shtatzënisë.

Xhevdet Ahmeti nga Likoshani është i vetmi nga anëtarët e familjes që në 28 shkurtin e 1998-s nuk ndodhej në shtëpi.

“Unë atë ditë rastësisht ndodhesha në Prishtinë dhe me t’u kthyer në Drenas, takoj dajën tim Ramiz Dervishin i cili më njofton se në fshatin Likoshan kanë ndodhur luftime në mes të UÇK-së dhe forcave serbe. Ne qëndrojmë në Drenas dhe ofrohemi atë natë më 28 shkurt deri në malin e Kamenicës që shihet në një distancë jo të largët ajrore. Qëndrojmë deri në orët e vona të natës, por nuk mund të kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Ishte errësirë dhe nuk guxonim të ofrohemi më shumë”, thotë ai. “Nga lajmet e kuptova se në Likoshan ka të vrarë, edhe pse nuk u jepeshin numra të saktë se sa janë të vrarë. Unë filloj të mërzitem dhe isha i bindur se më shumë se gjysma prej të vrarëve janë të familjes tonë”.

Kur mjetet e blinduara lanë fshatin, Ahmeti mori lajmin e rëndë. Të dhjetë burrat e djemtë e familjes që ndodheshin në shtëpi, bashkë me një mysafir, u masakruan.

Ndonëse dihet zinxhiri komandues, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët nuk janë vënë para drejtësisë. Kjo e rëndon Ahmetin dhe familjarët e tjerë.

“Me gjakun e tyre u arrit liria e Kosovës, mirëpo ndihemi të pa plotësuar përderisa drejtësia nuk vihet në vend për krimin që e ka bërë okupatori serb mbi familjarët tanë. Deri më sot nuk është përgjigjur askush për këtë dhe kërkesa ime ndaj organeve shtetërore është që të bëjnë maksimumin që sa më parë të gjithë përgjegjësit për këtë masakër, por edhe për të tjerat, të vihen para drejtësisë”, thotë ai.

Krahas 20 civilëve, u vranë edhe katër pjesëtarë të UÇK-së. Dy nga ta nga familja Beqiri e Qirezit e dy të tjerë nga ajo Gjeli e Likoshanit.

Pas masakrës, Afrim Gjeli veshi uniformën e UÇK-së.

“28 shkurt i ’98-s është një ngjarje që e ka ndryshuar edhe historinë e popullit shqiptar”.

Vlerësim të përafërt dha edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, që bëri homazhe te varrezat e të vrarëve.

“Kjo fazë shënon fillimin dhe masivizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata ranë e u flijuan, por gjaku i tyre u bë liri dhe dritë për popullin e Kosovës, sepse pas këtyre ngjarjeve, pas këtyre masakrave e akteve të gjenocidit, askush nuk e vinte më në dyshim që e vetmja rrugë për popullin e Kosovës është që me armë në dorë, burrat e gratë, djemtë e vajzat, të gatshëm për ta çliruar Kosovën”, ka thën ëKonjufca.

E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u zotua se shpejt Serbia do të paditet për gjenocid të kryer në Kosovë.

“Tashmë një grup i ngushtë po merret intensivisht me padinë për gjenocid, mirëpo siç e përmenda për shkak të ndjeshmërisë nuk mund të japim detaje”, ka thënë ajo.

E, në një postim në Facebook, kryeministri Albin Kurti shkroi se drejtësia për të gjitha viktimat e gjenocidit të Serbisë në Kosovë është obligim i Qeverisë që e drejton.

Homazhe tek varrezat e të vrarëve në Likoshan e Qirez bënë edhe përfaqësues të subjekteve politike dhe përfaqësues lokalë të Komunës së Drenasit dhe Skënderajt.

E, në Shtëpinë muze të familjes Ahmeti në Likoshan për herë të parë është publikuar edhe një ekspozitë për të vrarët e kësaj familjeje.

Aksioni i Policisë speciale Serbe, që nisi mëngjesin e 28 shkurtit të 1998-s, zgjati për dy ditë rresht.

Atë ditë, Rexhep Rexhepi (63), Beqir Rexhepi (30), Muhamet Gjeli (70) dhe Naser Gjeli (38) ranë dëshmorë në luftimet ndërmjet UÇK-së dhe policisë serbe në Drenicë.

Ndërkaq, policia serbe masakroi 20 civilë të paarmatosur shqiptarë: vëllëzërit Beqir (26), Nazmi (24), Bedri (24) e Bekim Sejdiu (23), pastaj Ilir Nebihu (30), Rukie Nebihu (27) e cila ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë, Xhemshir Nebihu (33), Ibish Rama (38), Behram Fazliu (50), Ismail Behrami (30), dhe 10 burra e djemë të familjes Ahmeti – Ganiu (46), Ahmeti (50), Hamza (44), Hilmiu (44), Dritoni (23), Naimi (22), Lumniu (19), Shemsiu (18), Basriu (18) dhe Elhamiu (16).