Arbëri

Kërkohet drejtësi në përvjetorin e vrasjes së 10 civilëve shqiptarë në Mitrovicë

Shaip Canhasit, 85-vjeçar, sot nuk i kujtohet asnjë prej fytyrave të personave që kishin hyrë në banesën e tij, në Lagjen e Ibrit – në Mitrovicën e atëhershme ende një qytet.

Përveçqë ishin serbë që të gjithë, 20 vjet më parë, atij i ishte kujtuar njëri prej tyre, pasi banonte fare pranë banesës së tij, raporton KTV.

Mbrëmjen e 3 shkurtit të vitit 2000, gruaja e tij, Remzije Canhasi, kishte mbetur e vdekur në vend nga plumbat që kishin ardhur nga jashtë, para se një grup prej afër 10 personash të futeshin në banesën e tij.

Diku ende e ka një copë shpresë, që për këtë krim dikush do të japë përgjegjësi para drejtësisë.

Remzie Canhasi ishte një prej 10 viktimave të 3 e 4 shkurtit, ku mbetën edhe 25 shqiptarë të plagosur e nga shtëpitë e tyre u dëbuan edhe mbi 1500 familje.

E gjitha kishte ndodhur përderisa për sigurinë në veri kujdeseshin KFOR-i francez dhe Policia e UNMIK-ut.

Dhe këtë nuk ka lënë pa e përmnedur Halit Berani, drejtues i qendrës së Këshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Mitrovicë, tek e mori fjalën në 20-vjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike.

Drejtësi për viktimat e jo hakmarrje ka kërkuar edhe kryeministri Albin Kurti, që mori pjesë në këtë përvjetor.

E kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, i ka kërkuar ndihmë kryeministrit Kurti për ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve në pjesën veriore dhe kthimin e tyre.

Fjalën para të pranishmëve, me shumë emocione, e mori edhe Gani Xhaka, të cilit i ishte vrarë gruaja dhe i ishte plagosur vajza, dhe ka treguar për vështirësitë pasi ishin dëbuar nga vendbanimet e tyre.

Kryetari Agim Bahtiri është zotuar se Xhakës, Komuna do t’ia ndërtojë një shtëpi, zotim që ishte bërë edhe nga qeverisja komunale para tij.

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ishin gjykuar 5 persona për krime lufte, përfshirë edhe ngjarjet e shkurtit të vitit 2000, mes tyre edhe Oliver Ivanoviq, por asnjëri prej tyre nuk ishte shpallur fajtor.