Qeveria e Kosovës ka bërë progres në luftën kundër trafikimit me njerëz, ndërsa kërkohet bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar në luftimin e kësaj dukurie.
Kështu u tha në Ditën e Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Njerëz, me rastin e lansimit të fushatës njëmujore “Mos hesht” nga Ministria e Punëve të Brendshme, fushatë kjo që do të shërbejë si thirrje për një qytetar aktiv, i cili në masë të madhe do të ndihmojë organet shtetërore.
Me këtë rast, përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, John Bush vlerësoi se Qeveria e Kosovës ka bërë progres në parandalimin e trafikimit me njerëz.
Ai, siç transmeton rtk, dha edhe rekomandimet për Qeverinë e Kosovës, me ç’rast tha se kjo e fundit duhet të vendosë një fond të qëndrueshëm përmes buxhetit për një organizatë jo-qeveritare për t’i strehuar viktimat e trafikimit, të punohet me autoritetet lokale për mbrojtjen e viktimave në komunat veriore, të ofrohet mbështetje profesionale e gjithëpërfshirëse në trajnimin dhe riintegrimin për viktimat si dhe të krijohet një bazë e të dhënave që zbërthen statistikat rreth trafikimit, ku çdokush mund ta shoh fushëveprimin e problemit.