Arbëri

Kërkohet barazi gjinore në listat zgjedhore të 6 tetorit

Derisa ka mbetur pak më shumë se një javë që partitë politike ti zyrtarizojnë listat e tyre të kandidatëve për deputetë, shoqëria civile ka kërkuar barazi gjinore në to.

Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” kuotën 50 me 50 e ka kërkuar edhe në trupat menaxhuese të zgjedhjeve.

Pavarësisht kuotës prej 30 %, pjesëmarrja e barabartë e grave në politikë, sipas Ismet Kryeziut, përbën një prej elementeve kyçe të demokracisë.

Në Këshillat Komunale Zgjedhore, në zgjedhjet e fundit parlamentare, sipas Kryeziut, nga partitë politike kanë qenë të nominuara vetëm 25 gra nga 263 anëtarë, e vetëm 4 prej tyre kanë udhëhequr ndonjë nga 38 KKZ-të.

Kryeziu në këtë konferencë për media ka folur edhe për rëndësinë e pastrimit të listave të votuesve, dhe se si mund të ndihmojnë qytetarët në këtë proces.

Numrin e madh të fletëvotimeve të pavlefshme, që në zgjedhjet e vitit 2017 kishte shkuar në mbi 70 mijë, Kryeziu e ka lidhur me rëndësinë e edukimit të votuesve, për çka ka thënë se kontribut mund të japin edhe partitë politikë.