Në njërën prej shkollave të Pejës sërish ka ndodhur një rast i therjes me thikë mes nxënësve. Një nxënës i klasës së tetë në shkollën fillore “7 Shtatori” në fshatin Vitomiricë e ka therur në këmbë një bashkëmoshatar.
Rasti është konfirmuar nga drejtoresha e shkollës, e cila pohon se ende nuk ka informacione të sakta se me çka është therur nxënësi, ndonëse në raportin 24-orësh të policisë, thuhet se viktima është therur me thikë në këmbë.
“Ka ndodh këtë të premte është e vërtetë. Veç na ende nuk e dimë me çka ka qenë. A ka qenë me thikë apo me kompas. Por presim prej policisë informatën. Na vazhdimisht bëjmë kontroll nëpër klasa, për qeto armët”, ka thënë Draga Bababçiq-Markoviq, drejtoreshë e shkollës fillore “7 Shtatori” në Vitomiricë.
E këto kontrolle të nxënësve për armë të ftohta, sipas drejtorit të Arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj, pikësëpari janë përgjegjësi e prindit, e pastaj edhe e punëtorëve në shkolla.
Sipas të dhënave të policisë, që nga viti 2019 e deri më tash janë regjistruar tri raste të therjes me thikë mes nxënësve në shkolla të Pejës.
Por jo vetëm rastet e therjeve mes nxënësve, por edhe vetë bartja e thikave në shkolla është shqetësuese për psikiatrin mjekoligjor, Muhamet Haliti, i cili edhe si anëtar i Kuvendit Komunal të Pejës e ka ngritur këtë çështje në Kuvend.
Ai tregon se i ka rastisur edhe vetë të shohë me armë të ftohta nxënës adoleshentë të moshës 13, 14 e 15-vjeçare, moshë kjo që sipas Halitit është një periudhë kur fillojnë të identifikohen adoleshentët me sjellje jo të mira. Ai e sheh të domosdoshme që secila shkollë ta ketë psikologun e vet.
“Në disa shkolla ekziston psikologu. Tek ato shkolla duhet të identifikohen ata nxënës në bazë të sjelljeve të tyre dhe të ndërmerren masa sa i përket formave të ndryshme terapeutike qoftë me psikoterapi të ndryshme, apo nëse ka nevojë edhe të udhëzohen tek profesionistët e shëndetit mendor, tek psikiatri e ndonjë psikolog”,ka deklaruar Muhamet Haliti, psikiatër mjekoligjor.
Mirëpo, jo të gjitha shkollat e Pejës kanë psikolog. Në disa shkolla ka pedagogë, dhe sipas drejtorit të Arsimit, Besim Avdimetaj, të dytë kanë rolin e njëjtë.
Ndërkohë, Stacioni Policor i Pejës është duke zbatuar Planin Operativ “Siguria në shkolla” dhe ka angazhuar dy zyrtarë policorë nga njësiti i komunitetit, të cilët sipas policisë në vazhdimësi vizitojnë shkollat.