Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka dorëzuar dy kërkesa në Prokurorinë Speciale për hetim për investimet në shtretër të lumenjve dhe procesin e pajisjes me pëlqim mjedisor për një operator ekonomik për ndërtimin e fabrikës për trajtimin termik të mbeturinave, për përfitim të energjisë
Dy kërkesa për hetim ia ka dorëzuar Prokurorisë Speciale të enjten Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).
Në njërën prej tyre kërkohet që hetimet të ndërmerren për procesin e pajisjes me pëlqim mjedisor të një operatori ekonomik për ndërtimin e fabrikës së trajtimit termik të mbeturinave për përfitimin e energjisë elektrike.
“Bazuar në gjetjet e auditorit që ndërlidhen me procesin e pajisjes me pëlqim mjedisor konsiderojmë që lidhur me këtë proces janë bërë një varg shkeljesh ligjore, të cilat kanë nevojë për hetim penal”, është shprehur në kërkesë. Kërkesa ka të bëjë me inceneratorin në Varosh të Ferizajt, të cilit MMPHI-ja ia ka pezulluar më 1 gusht pëlqimin mjedisor që vetë ia pati lëshuar në dhjetorin e vitit 2022.
Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, të martën e shkuar ka thënë të mos ketë qenë në dijeni për lëshimin e këtij pëlqimi.
“Natyrisht është përgjegjësi edhe mbi Ministrinë, edhe mbi Komunën dhe pikërisht për këtë punë, pasi e kemi bërë auditimin, duhet t’u drejtohemi në ndihmë organeve të drejtësisë që ta vënë drejtësinë në vend”, pati thënë Aliu.
Ministria e drejtuar prej tij të mërkurën ka anuluar edhe licencat për vlerësimin e ndikimit në mjedis për një person juridik dhe për disa persona fizikë që kanë të bëjnë me këtë projekt.
“Për herë të parë Ministria, përkatësisht komisionet e ekspertëve, kanë bërë anulimin e licencave të personave juridikë e fizikë për vlerësimin e ndikimit në mjedis, duke u bazuar në shkeljen e kritereve, ligjit, dhe etikës në përpilim të raportit. Për një kohë të gjatë ekspertët e pavarur dhe ata të brendshëm kanë alarmuar për shkeljet dhe përmbajtjen e dobët të raporteve për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, ka shkruar zëvendësministri i Mjedisit, Avni Zogiani, në një postim në Facebook.
Ai ka bërë të ditur se rasti për të cilin është bërë ky raport tashmë është nisur në adresë të Prokurorisë Speciale, kurse pas anulimit të licencave për vlerësuesit do të konstatohet nëse ka bazë për veprime të mëtutjeshme.
Pas pëlqimit nga Ministria, kompania që synim kishte djegien e 100 mijë tonë mbeturinave në vit, mori edhe lejen ndërtimore nga Komuna për ngritjen e inceneratorit.
Në një komunikatë për media, kompania ka reaguar duke e quajtur të pavërtetë deklaratën e ministrit. Në të thuhet se me këtë vendim po rrezikohet një projekt 146 milionë eurosh.
“Ministri është vendosur në shërbim të monopolit të mbeturinave dhe me ndikim politik po deklarohet për çështje të vendosura nga ekspertët e lëmenj përkatës”, thuhet në njoftimin nga kompania.
Kërkesa tjetër për hetim ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime serioze në investime në shtretër të lumenjve.
Zëvendësministri Zogiani ka shprehur bindjen që Prokuroria Speciale do të ketë vullnet për trajtimin e këtyre dosjeve.
“Rasti i dytë po ashtu ka të bëjë me dyshime për keqpërdorime serioze në punët në fushën e ujërave, të cilat punë sipas Raportit të bërë nga grupi i ekspertëve janë bërë pa kritere, me shkelje serioze të ligjit deri në masën që ka dyshime se punët janë paguar pa u vënë kurrë në praktikë! Shpresoj që Prokuroria Speciale të gjejë kohë e vullnet për këto dosje!”, ka shkruar ai në rrjetin social.
Hetim për shkelje në investime në shtretër të lumenjve ishte kërkuar edhe dy vjet më parë, porse nuk ka pasur veprime konkrete nga organet e hetuesisë.