Arbëri

Kërkohen dënime më të ashpra për dëmtuesit e pyjeve

Dënime më të ashpra janë kërkuar për ata që bëjnë prerjen e pyjeve dhe që degradojnë ambientin.

Kjo kërkesë ka ardhur nga tryeza "Degradimi i pyjeve dhe ambientit", që është diskutuar në takimin e organizuar nga Prokuroria Themelore në Pejë.

Agim Kurmehaj, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, tha se 99 për qind e lëndëve që i kanë proceduar kanë të bëjnë me këtë natyrë, me vendime nëpër Gjykata kanë përfunduar 85 për qind, por sipas tij këto statistika nuk flasin për realitetin.

"Shihet se ditë për ditë jemi duke i degraduar më shumë e më shumë, jemi duke i degraduar me prerje ilegale, me zjarrvënie, duke ndërtuar edhe në viset malore, duke marrë zhavorr nëpër lumenj dhe jemi duke ia ndërruar edhe drejtimin e tyre. Me një fjalë flora dhe fauna e këtij mjedisi janë duke u shkatërruar", tha ai.

Nënkryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Sami Sharaxhiu, ka thënë se në të kaluarën kanë shqiptuar dënime alternative, e në disa raste kanë shqiptuar dënime me gjoba.

Por sipas tij tash zgjidhja është që të ashpërsohen dënimet.

"Mendoj se zgjidhja në të ardhmen për parandalimin e kësaj dukurie që është shumë negative pas luftës, e sidomos tash në kohët e fundit është që ne në Gjykata t'i ashpërsojmë dënimet. Thjeshtë të fillojmë me shqiptua dënime me burg, ku besoj që ndoshta do të realizohet qëllimi i sanksionit penal dhe do të vetëdijesohen popullata që në të ardhmen mos të kryejë kësi vepra penale", deklaroi ai.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, u shpreh se të gjithë janë dëshmitarë të degradimit të pyjeve, të lumit dhe të ambientit mjedisor.

"Ne për mbrojtje të ambientit i kemi dy inspektorë, për të pasur mundësi me e parandalua këtë punë ne do t'i marrim ose do të punësojmë edhe 4 inspektorë për gjashtë muajt e ardhshëm, që me pas mundësi me i bë gjashtë inspektorë të ambientit", tha ai, transmeton kp.

Ai tha se do të duhej të ndërrohej ligji për dënime të prerjes së pyjeve mos të jetë një vit, por sipas tij nga 5 vite e lartë.

I pari i Pejës, tha se në buxhet për këtë vit e kanë paraparë vendosjen e 50 kamerave për të mbrojtur pyjet.

Në anën tjetër, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka kërkuar që të bëhet regjistrimi i pronave private, pasi sipas tij, po ndodh që po bëhet kalimi nga prona private në pronë shtetërore.

"Për Deçan do të thosha që është zvogëluar kjo dukuri, mirëpo pasojat kanë mbetur. Në dy tri tema të cilat si pasojë po ndodh ky degradim është ose i kemi dy institucione që menaxhojnë brenda pyjeve të Deçanit. Është edhe Parku Nacional, mirëpo është edhe Agjencia e Pyjeve për shkak se një pjesë e atyre pronave janë prona private. Kish qenë mirë që të gjithë ata që kanë kompetenca me e bë ndarjen e këtyre dhe me e bë regjistrimin e pyjeve private, sepse në emër të pyjeve private, të drejtës së shfrytëzimit të pronës private po ndodh që në pronën publike me u marrë lënda drunore, me u fut brenda pyjeve private pastaj me ra legalisht nëpër laurë", tha ai.

Kurse, kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtje të Mjedisit, Ilir Morina, ka thënë se mjafton që dënimet ndaj atyre që degradojnë pyjet të bëhet sipas kodit penal dhe ligjit të natyrës.

"Unë do të isha kundër termit të ashpërsohen dënimet, por të dënohet në bazë të ligjit të natyrës, parkut dhe në bazë të kodit penal sipas degradimit të natyrës si krim mjedisor. Çdo prerje e 1 metër kubik dru e përpjetë, do të thotë një lisi, është vepër penale, nuk e di saktë a është 1 deri në 3 vite ose deri në 6 mijë euro dënim. Do të thotë mjafton që kodin penal dhe ligjin e natyrës ta implementojmë", tha ai.

Morina ka folur edhe sa i përket hidrocentraleve, ku ai tha se fajet i ka politika dhe ata që i kanë lejuar. Mirëpo, sipas tij ato mund t'i parandalojnë problemet.

Në emër të shoqërisë civile ka folur Ellen Lajçi nga organizata Era, e cila ka thënë se Peja nuk është e njëjtë siç ka qenë para 15 vitesh, ndërkohë që për gjendjen e keqe ka thënë se përgjegjës janë të gjithë, edhe banorët, institucionet dhe OJQ-të.

" Ka shumë degradim të pyjeve, sa i përket ajrit sapo kemi mësuar që Peja në të vërtetë nuk e ka aq ajrin e pastër dhe kontaminohet nga plastika, nga fabrikat, sa i përket mbeturinave i shohim me sy. Uji jonë është i sulmuar edhe nga hidrocentralet. Pyjet po shkatërrohen, e shohim një vend të mirë dhe duam ta kthejmë në një vend turistik. Do të flas për hidrocentralet sepse është rrezik për pyjet në tërë Kosovën", tha ajo.