Në afro 10 mijë ka shkuar numri i rasteve aktive me COVID-19 në vend, pas shënimit edhe të 1.187 rasteve të të infektuarve me koronavirus, gjatë së martës. Krahas rritjes së numrit të rasteve, vala e fundit e infektimeve është karakterizuar edhe me numër të madh të të vdekurve. 14 persona kanë vdekur si pasojë e sëmundjes në javën e fundit. Mirëpo, në raport me numrin e të infektuarve me koronavirus, kërkesa për hospitalizim është e vogël. Infektologët e kanë vlerësuar se lehtësim në këtë valë ka gjeneruar vaksinimi
Nga 24 pacientët e konfirmuar si pozitivë për COVID-19 dhe që janë aktualisht duke marrë trajtim në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, 18 janë të vaksinuar përderisa 6 nuk i kanë marrë dozat e kurave kundër sëmundjes së shkaktuar nga koronavirusi, kanë bërë të ditur mjekët.
Rritja e numrit të të hospitalizuarve shkaku i COVID-19 ka rezultuar nga vala e shtimit të theksueshëm të bilancit të të infektuarve gjatë muajit të fundit. Bazuar në raportin ditor të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 1.187 raste të reja nga testimi i 3.022 mostrave.
Arben Vishaj, drejtor i Klinikës Infektive, ka thënë që ndonëse evidentohet numër i lartë i rasteve, në këtë valë të infektimeve ka shumë më pak pacientë, që kërkojnë trajtim spitalor.
“Nuk kemi kërkesë për shtrim. Pra, kemi gjithsej 7-8 mijë pacientë, të cilët aktualisht, në mbarë Kosovën, janë të infektuar. Kurse ne në klinikën infektive e kemi një numër fare të vogël, vetëm 24 pacientë. Në përgjithësi pacientët, të cilët kanë moshë të shtyrë dhe ata, të cilët kanë pasur më parë sëmundje shumë të rënda kronike, ata janë duke e përballuar formën e infeksionit më vështirë në raport me qytetarët e tjerë, të cilët kanë qenë të pa vaksinuar”, ka thënë ai.
Duke potencuar se vaksinimi ka pasur ndikim të madh në frenimin e sëmundjes, Vishaj ka bërë thirrje që veçmas personat në mosha të shtyra të imunizohen edhe me dozën e katërt të vaksinës.
“Aspektet klinike janë pothuajse të njëjta, mirëpo tani jemi në një situatë tjetër, kur kemi një numër shumë të madh të qytetarëve të vendit, të cilët janë të vaksinuar dhe kemi një numër të madh të popullatës, që ka kaluar COVID-in dhe është krijuar në një mënyrë ose tjetër prania e infeksionit. Pra, tashmë popullata në përgjithësi, jo vetëm në Kosovë por në shkallë globale, ka një përgjigje imunologjike në raport me ditët e para kur kemi pasur të infektuar”, ka shtuar Vishaj.
Ai gjithashtu ka thënë se i përkrah të gjitha vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë të cilat caktojnë masat për parandalimin e virusit.
“Të gjitha rekomandimet, që dalin nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe vendimet, që dalin nga Ministria e Shëndetësisë ne i përkrahim. I mbështesim ato sepse janë për të mirën e qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Me të dhënat nga 24-orëshi i fundit, numri i rasteve aktive në vend ka shkuar në afro 10 mijë, përderisa brenda shtatë ditësh janë raportuar 14 raste të vdekjeve.