Familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës dhe Komisioni qeveritar për këtë kategori kanë adresuar një varg kërkesash për institucionet. Ata kanë kërkuar që këto kërkesa të përfshihen në ndryshim-plotësimin e Ligjit aktual për të zhdukurit, në të cilin është duke punuar aktualisht Ministria e Drejtësisë. Kërkesat përfshijnë ndryshimin e përkufizimeve, përfitimin financiar të familjarëve dhe përparësi në shërbime për këtë kategori
Zvarritja disavjeçare e punës për ndryshimin e Ligjit për të zhdukurit gjatë luftës pritet që përfundimisht të mbyllet sivjet. Të paktën një pritje të tillë e ka Komisioni qeveritar për këtë kategori. Komisioni ka adresuar disa kërkesa, ku ndër të parat, sipas kryetarit të tij, Andin Hoti, është ndryshimi i emërtimit të ligjit.
“Duhet të quhet Ligji për personat e zhdukur me forcë, sepse këta persona nuk janë zhdukur prej dëshirës së vet, nuk janë zhdukur natyrshëm. Janë zhdukur sepse janë kidnapuar me forcë nga ushtria, policia dhe paramilitarët serbë në kohë të luftës”, ka theksuar Hoti.
Synim tjetër i Komisionit është që familjarëve, ndryshe nga ç’është tani, t’u mundësohet marrja e dy pensioneve. Për aprovimin eventual të kësaj kërkese nevojitet ndryshimi i Ligjit për skemat pensionale dhe i atij për kategoritë e dala nga lufta.
“Secili qytetar në Kosovë që e prek ky ligj dhe Ligji i pensioneve të moshës ka të drejtën t’i ketë dy pensionet. Ka të drejtë edhe për pensionin e moshës, dhe këtë mbështetje Qeveria e Kosovë ia jep për shkak të asaj që ka përjetuar”, ka shtuar Hoti. Shumica e kërkesave, sipas tij, janë bërë nga familjarët, të cilat Komisioni i ka adresuar te institucionet.
Në ndryshimin e Ligjit aktual është duke punuar Ministria e Drejtësisë. Asaj i është kërkuar që personat e zhdukur të kenë status të veçantë. Emërtimi i saktë i këtij statusi, sipas Komisionit, është duke u shqyrtuar.
Ligji aktual i trajton të zhdukur personat që janë zhdukur si pasojë e luftës ndërmjet 1 janarit të vitit 1998 dhe 31 dhjetorit të vitit 2000. Por Komisioni kërkon që kjo çështje të qartësohet pasi që lufta zyrtarisht konsiderohet e përfunduar më 10 qershor 1999, kur në Kosovë kanë hyrë forcat e NATO-s. Derisa në këtë ligj Komisioni kërkon që të përfshihen të zhdukurit që nga viti 1990.
Familjarët e personave të zhdukur kërkojnë që përmes ligjit të ri atyre t’u mundësohen përparësi në disa shërbime.
Bajram Çerkinaj, i cili udhëheq shoqatën “Zëri i Prindërve”, ka thënë se shumë prej familjarëve në mungesë të kushteve mendojnë largimin nga Kosova.
“A duhet me pasë përparësi edhe kjo kategori? Për punësim, mjekim, shkollim, por për strehim more vëlla, sepse janë rritë edhe nipat e stërnipat, po kanë qef me kriju familje. As nuk ka punë, as nuk ka strehim, as nuk ka shkollim, edhe u mbet rrugëve”, ka thënë Çerkinaj.
Qëllimi i ndryshimeve të kërkuara në ligj, sipas Komisionit, është trajtimi më dinjitoz i familjarëve të personave të zhdukur dhe lehtësimi i jetës së tyre. Në anën tjetër, Ministria e Drejtësisë ka thënë se qëndrimin e saj për ndryshimin e Ligjit do ta japë pasi të përfundojë trajtimi i kërkesave të familjarëve.
“Nuk mund të deklarohemi në këtë kohë, për shkak se së bashku me Zyrën e kryeministrit dhe me Ministrinë e Financave jemi duke parë mundësinë e adresimit të kërkesave të familjarëve të personave të zhdukur dhe pas kësaj mund të dimë qartë se cilat do të jenë ndryshimet që do të bëhen në Ligj”, thuhet në përgjigjen e MD-së për KOHËN.
Afati për miratimin e këtij projektligji fillimisht ka qenë 31 maji i këtij viti, por Qeveria e ka shtyrë atë deri më 31 korrik, por as pas kësaj date projektligji nuk është proceduar për në Kuvend.