Sipas ankesës së operatorit, e publikuar në faqen zyrtare të OShP-së, Autoriteti Kontraktues në tender ka kërkuar që operatori ekonomik konkurrues duhet të ofrojë dëshmi se ka së paku nga 50 punëtorë në listën e punëtorëve të paraqitur në ATK për tri vitet e shkuara, si dhe është kërkuar edhe pajisje dhe makineri që sipas operatorit ankues nuk përkojnë me natyrën e punimeve në këtë tender. Specifikat e veçanta në këtë tender, sipas anekses së operatorit, e bënë të nënkuptohet qëllimi i autoritetit kontraktues për favorizimin e një kompanie te caktuar.
Aktualisht në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP) gjendet vetëm një tender i Komunës së Deçanit dhe ai ka një vlerë të parashikuar për kontratë prej 1 milionë e 952 mijë euro.
Ky tender i shpallur më 20 maj, për ndërtimin e varrezave të qytetit në Deçan – Faza 1, ka përfunduar në OShP në fillim të muajit qershor pas ankesës së një operatori ekonomik, ende pa u përzgjedh nga Autoriteti Kontraktues-Komuna e Deçanit, ndonjë operator fitues.
Sipas ankesës së operatorit, e publikuar në faqen zyrtare të OSHP-së, Autoriteti Kontraktues ka bërë shkeljen e dispozitave të Ligjit të Prokurimit Publik për barazi në trajtim dhe jo-diskriminim.
Konkretisht, me tender Autoriteti Kontraktues ka kërkuar që operatori ekonomik konkurrues duhet të ofrojë dëshmi se ka së paku 50 punëtorë në listën e punëtorëve të paraqitur në ATK për secilin vit, ne tri vitet e fundit nga data e publikimit të njoftimit për kontratë, si dhe dëshminë e listës së pagave nga ATK-ja për pagesën e kontributeve së paku 3 vitet e shkuara nga data e publikimit të njoftimit për kontratë.
Gjithashtu në paramasat e caktuara në tender, ndër të tjera është kërkuar edhe pajisje dhe makineri, që sipas operatorit ankues nuk janë të nevojshme dhe nuk përkojnë me natyrën e punimeve në këtë tender.
Specifikat e veçanta në këtë tender, sipas ankesës së operatorit, e bënë të nënkuptohet qëllimi i autoritetit kontraktues për favorizimin e një kompanie te caktuar.
Vlerësimin e tij për këtë ankesë e ka dhënë edhe eksperti shqyrtues në OShP, i cili i ka propozuar Panelit Shqyrtues që ankesa e operatorit ankues të aprovohet si e bazuar, të bëhen ndryshimet e duhura, të njoftohen operatorët ekonomik me ndryshimet e bëra dhe të vazhdohet tutje më këtë aktivitet të prokurimit.
Në këtë vlerësim, thuhet gjithashtu se autoriteti kontraktues duhet t’i racionalizojë edhe kërkesat për pajisje dhe makineri dhe të mos kërkohen të tilla që nuk janë të nevojshme për aktivitetin në fjalë të prokurimit.
Por ky vlerësim i ekspertit shqyrtues ka mbetur mbi tavolinën e Panelit Shqyrtues nga mesi i qershorit, në mungesë Bordit të OShP-së, të cilit nga 31 marsi i ka skaduar mandati, dhe në mungesë të këtij paneli, nuk po shqyrtohen as ankesat e operatorëve ekonomik për aktivitetet e prokurimit nga autoritetet kontraktuese.
Bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit përzgjidhet nga Qeveria dhe miratohet nga Kuvendi i Kosovës. Me këtë tender është marrë edhe Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), mu me kërkesat e potencuara në tender nga Autoriteti Kontraktues, për të cilat ishte ankuar edhe operatori ekonomik në OShP.
“Kërkesë kjo, për të cilën AKK konsideron se nuk është në pajtim me dispozitat e ligjit në fuqi të prokurimit publik. Sipas dispozitave të ligjit në fuqi të prokurimit publik, Autoriteti Kontraktues mund të kërkojë minimumin e mesatares së fuqisë punëtore dhe stafit menaxherial për tri vitet e fundit. AKK konsideron se një kërkese e tillë e vendosur nga autoriteti kontraktues është diskriminues dhe nuk u mundëson të ofertojë për këtë kontratë operatorët tjerë ekonomik që kanë numër minimal të fuqisë punëtore. Duke caktuar një kufizim të tillë autoriteti kontraktues favorizon vetëm operatorët ekonomik që kanë atë numër të punëtorëve ose me tepër dhe në këtë mënyrë i eliminon operatorët tjerë ekonomik që kanë një numër të kënaqshëm të të punësuarve”, thuhet në opinionin e AKK-së.
Me caktimin e kërkesave të tilla, sipas AKK-së, Autoriteti Kontraktues ka vepruar në kundërshtim me nenin 7 barazia në trajtim dhe jo diskriminim, si dhe nenin 69 të Ligjit në fuqi të Prokurimit Publik, për aftësitë teknike dhe profesionale, ku sipas këtij ligji “autoriteti kontraktues nuk do të krijojë ose të imponojë dhe do të marr të gjithë masat e nevojshme për të parandaluar krijimin ose imponimin e rrethanave ose kushteve që rezultojnë me diskriminim territorial, fizik, material, personal ose organizativ ndërmjet operatorëve ekonomik”. AKK ka rekomanduar që të evitohen këto shkelje përmes njoftimit standard dhe të përmirësohen gabimet, duke i njoftuar të gjithë operatorët që i kanë tërhequr dosjet e këtij tenderi.
Xhevdet Ramosaj, menaxher i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Deçanit, pohoi se tenderi është shpallur me ato paramasa që edhe i është sjellë projekti për tenderim dhe se i janë caktuar edhe disa kritere.
“Ne i patëm qit do kritere, por AKK na dha një vërejtje edhe e kam heq atë kërkesën për numrin e punëtorëve, e korrigjova. Por, u ankuan kompani në OShP dhe është shkuar lënda në OSHP. Eksperti në OSHP ka thënë gjithashtu me korrigjua atë kërkesë dhe tash ka mbet lënda në OShP se ende nuk ka Panel Shqyrtues në OSHP”, tha Ramosaj. KOHA ka tentuar ta kontaktojë edhe drejtorin e Shërbimeve Publike, Izet Zenuni, rreth këtij projekti, i cili me tender parashihet të realizohet për 36 muaj, por ai nuk ka qenë i qasshëm.