Arbëri

Kërkesa për njohjen e së drejtës së kompensimit të dëmeve të luftës dërgohet në Kushtetuese

Në Gjykatën Kushtetuese janë dorëzuar për vlerësim disa vendime të Gjykatës Supreme që lidhen me paditë për njohjen e të drejtës për kompensim nga Serbia për dëmet e shkaktuara gjatë luftës. Përfaqësues të shoqatës “Ngritja e Zërit“ u shprehën të zhgënjyer nga institucionet e drejtësisë për mostrajtim të më shumë se 1 mijë padive

Shoqata për Dëme të Luftës “Ngritja e Zërit”, i ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese disa vendime të Gjykatës Supreme, që lidhen me paditë për njohjen e të drejtës së kompensimit të dëmeve të luftës të shkaktuara nga Serbia. Supremja ka refuzuar kërkesat për rishikim të vendimeve të Gjykatave Themelore dhe të Apelit, të cilat duke u thirrur në jokompetencë, i kanë refuzuar paditë e shoqatës kundër shtetit të Serbisë. Në gjykata, shoqata “Ngritja e Zërit” ka dorëzuar më shumë se 1 mijë padi për kompensim të dëmeve morale apo njerëzore, materiale dhe dëmeve në fitimin e humbur.

Jahir Bejta, i cili e drejton shoqatën, thotë se gjykatat përveçse i refuzojnë kërkesat, edhe i udhëzojnë viktimat t’i kërkojnë të drejtat e tyre në gjykatat e Serbisë.

“Ne tani deri në Gjykatën Kushtetuese e kemi kaluar procedurën nëpër Gjykatën Themelore, Gjykatën e Apelit dhe së fundi kemi bërë kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme të Kosovës. Fatkeqësisht dhe mjerisht nuk është lejuar revizioni, por kemi marrë aktvendim mbi refuzimin e kërkesës për revizion dhe tani jemi pranë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe aktvendimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës në përputhje me Kushtetutën e vendit”, ka thënë Bejta.

E Ibrahim Xhaka, i cili është anëtar i shoqatës, u shpreh i indinjuar me neglizhencën e institucioneve të drejtësisë në Kosovë përkitazi me këto lëndë.

“A ka gjë më të shëmtuar, më të keqe, në formën më barbare dhe që s’mund të paramendohej nga njeriu kurrë, qeveria serbe në krye me Millosheviqin, ka bërë aq shumë dëme dhe krime që sot nuk merren institucionet tona. Ne jemi duke bërë përpjekje që ta dërgojmë deri në fund gjithë ato krime, dëme e pasoja që i ka shkaktuar regjimi serb i Millosheviqit”, është shprehur Xhaka.

Kosova edhe 25 vjet pas luftës nuk ka shifra zyrtare se sa është vlera e dëmeve ekonomike që Serbia i ka shkaktuar gjatë asaj periudhe. Në një takim në Bruksel, i realizuar në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, janë paraqitur dëme të llogaritura në vlerë prej 22 miliardë eurosh. Qeveria aktuale e cila e përfundon mandatin brenda 6 muajsh, e ka në programin e saj ngritjen e padisë për gjenocid ndaj Serbisë, të cilën ende nuk e ka hartuar.