Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kërkesë edhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi Kosovës. Veçimi i kësaj çështjeje nga marrëveshjet e tjera të arritura mes Kosovës dhe Serbisë është duke u parë si dinamikë e re e ndërkombëtarëve për të shtyrë institucionet drejt zbatimit të saj. Një gjë e tillë nga njohësit e zhvillimeve politike shihet si përmbushje e obligimeve që vetë zyrtarët shtetërorë kanë marrë.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe është zotimi që Kosova duhet ta zbatojë, ishte porosia e ndihmëssekretarit amerikan, James O`Brien, për presidenten Vjosa Osmani.
Në një bisedë telefonike mes tyre, O`Brien veçoi këtë çështje në mesin e gjitha detyrimeve që palët janë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
“Telefonatë e mirë sot me presidenten Vjosa Osmani. Ne diskutuam për rëndësinë që Kosova të zbatojë rregulloret monetare për përfitim të gjithë qytetarëve kosovarë, përfshirë edhe komuniteti i pakicës serbe dhe që palët t’i përmbushin të gjitha detyrimet e dialogut të BE-së – për Kosovën kjo përfshin Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha O’Brien.
Diskutimet me ndihmëssekretarin amerikan për Asociacionin nuk i përmendi në njoftimin e saj presidentja Osmani.
“Një telefonatë produktive sot me ndihmëssekretarin e Shtetit, O’Brien. Theksova rëndësinë e të punuarit së bashku me aleatët tanë të SHBA-së në mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë. Ne diskutuam gjithashtu hapat e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe zbatimin e plotë dhe të shpejtë të Marrëveshjes së Brukselit”, tha Osmani.
Kërkesa specifike e SHBA-së për formimin e Asociacionit nga njohës të zhvillimeve politike është duke u parë në kuadër të një dinamike të re nga ana e tyre.
Analisti Fidan Ukaj thotë se me kërkesa të vazhdueshme faktori ndërkombëtar është duke shtyrë Kosovën drejt zbatimit të marrëveshjes për AKS-në.
Për këtë arsye, sipas Ukajt, institucionet e Kosovës duhet të hartojnë nja draft-statut të tyre të Asociacionit.
“Institucionet e Kosovës janë ato që duhet ta propozojnë këtë draft dhe mendoj që institucionet e Kosovës nuk duhet ta humbin këtë momentum dhe këtë mundësi që Kosova të prezantojë një draft të saj përballë kërkesave të ndërkombëtareve edhe tejkalohet kjo kërkesë e vazhdueshme e faktorit ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Ukaj.
E Shkodran Ramadani thotë se me gjithë kundërshtimet nga autoritetet kosovare, me kërkesat e ndërkombëtarëve është duke u dëshmuar se Asociacioni është kryetemë në dialog.
“Për ndërkombëtarët është e sigurt dhe e qartë që Kosova vetë është zotuar që çështja e Asociacionit do të adresohet menjëherë dhe prandaj ata janë duke i bërë presion Kosovës që të ecë tutje me këtë proces sepse, sipas tyre, është Kosova ajo e cila në këtë pikë po paraqet pengesa për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit”, tha Ramadani.
Institucionet e Kosovës ndonëse parimisht kanë pranuar një draft-statut të Asociacionit, insistojnë se zbatimi i kësaj marrëveshjeje nuk duhet ndarë nga pikat e tjera të dakordimeve të arritura një vit më parë.
Garanci për zbatimin e Marrëveshjes në Bruksel e Aneksit të zbatimit në Ohër zyrtarët shtetërorë e shohin nënshkrimin e tyre, veprim që është duke u refuzuar të bëhet nga Serbia.