Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka pranuar një kërcënim me bombë të mërkurën në mëngjes, ka bërë të ditur zëdhënësja e këtij aeroporti, Valentina Gara. Ajo ka thënë se janë evakuuar udhëtarët dhe personeli.
“Konfirmojmë se kemi pranuar një kërcënim me bombë. Udhëtarët dhe personeli janë evakuar dhe janë të sigurt. Ekipet e involvuara në planin emergjent janë duke kryer detyrat e tyre”, ka bërë të ditur Gara.
Njësitet policore me qen, janë duke kryer inspektime, derisa Policia ka krijuar një perimetër të sigurisë ku nuk lejohet hyrja, përpos e zyrtareve policorë.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se bëhet fjalë për kërcënim me mjet shpërthyes dhe se aeroporti është mbyllur përkohësisht për shkaqe sigurie.
“Policia e Kosovës, sot në orët e paradites ka pranuar një informacion me përmbajtje kërcënuese, për mjete shpërthyese në aeroportin ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë. Bazuar në këtë informacion, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore, ku për shkaqe sigurie ka mbyllur përkohësisht aeroportin. Me qëllim të hetimit, kontrollit dhe masave të sigurisë, janë angazhuar njësitet relevante, andaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Tri fluturime tashmë janë shtyrë, sipas uebfaqes së Aeroportit.
S’është hera e parë që sivjet ka pasur alarme për bombë në institucione të ndryshme në vend. Në muajin qershor pati një seri alarmesh të rreme në Aeroport, Universitet të Prishtinës e disa shkolla në vend.