Arbëri

Keqplanifikimi i projektit për shkollën në Pastaselë u kushton shtetit dhe nxënësve

Punimet në objektin e ri për shkollën në fshatin Pastaselë të Rahovecit, të financuara nga Ministria e Arsimit nuk kanë filluar për shkak të keqplanifikimit të pozicionimit të godinës. Tani është hapur edhe një tender shtesë për këtë objekt në vlerë prej 200 mijë eurosh. Por çështja ka përfunduar edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit

As edhe një gozhdë nuk është vendosur për ndërtimin e objektit të ri për shkollën e fshatit Pastaselë të Rahovecit.

Punimet ishin planifikuar të fillonin në vjeshtën e vitit të kaluar, kur Ministria e Arsimit njoftoi në tetor se është dhënë kontrata në vlerë prej 509 mijë eurosh për godinën e re.

Mirëpo keqpozicionimi i objektit ka shtyrë punimet.

Në një përgjigje, në Ministri kanë thënë se kjo ka ndodhur pasi projekti nuk ka qenë i projektuar specifikisht për hapësirën ku do të ndërtohet godina e re për nxënësit e shkollës “Milaim Krasniqi”.

“Meqë projekti i shkollës ishte projekt TIPIK (jo i projektuar për vendin e caktuar), në koordinim me kompaninë mbikëqyrëse “Alb Architect” dhe dy inxhinierëve nga komuna e Rahovecit në prezencë të drejtorit të shkollës, u dakordua që të ndryshohet pozicionimi i shkollës për shkak të terrenit të kategorisë V-VII si dhe orientimit-pozicionimit jo adekuat të shkollës”, thuhet në përgjigje.

Për shkak të keqpozicionimit të objektit dhe mosprojektimit specifik që i përshtatet hapësirës në fshatin Pastaselë, është hapur një tender shtesë prej 200 mijë eurosh, për të ndërtuar një bazë më të fortë.

“Shpimet gjeomekanike janë bërë nga OE ‘SOPI’ i kontraktuar për ndërtimin e shkollës (nga kontrata e parë), dhe si rezultat i këtyre shpimeve kemi publikuar tenderin përmes Zyrës së Prokurimit për krijimin e bazës në pilota për ndërtim të shkollës pasi terreni ku mendohej të ndërtohej shkolla ka rezultuar të jetë tokë e mbushur”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Arsimit.

Për ndërtimin e shkollës që numëron rreth 160 nxënës është përzgjedhur fituese kompania “Sopi Group”. Kompania në asnjërin nga tenderët nuk e ka pasur ofertën më të lirë. E ish-pronari dhe njëkohësisht babai i pronarëve aktual të kompanisë, Naim Sopaj, në rrjete sociale është shfaqur përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai mohoi se kjo ka ndërlidhje me fitimin e tenderëve.

“Kjo punë nuk ka lidhje bash hiç, sepse komplet stafi administrativ në Ministri nuk i përket VV-së hiç, as Zyra e Prokurimit, as Drejtoria e Investimeve. Unë jam person i lirë dhe jam veteran i luftës dhe unë mund të qëndroj me këndo, jam i hapur të qëndroj me persona të komuniteteve dhe unë jam aktivist patriot kombëtar”, ka thënë Sopaj.

Edhe në Ministri e mohuan ndërlidhjen e mundshme.

“Zyra e Prokurimit bën vlerësimin e ofertave në bazë të kritereve të përcaktuara në dosjen e tenderit e jo në baza partiake”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t.

E lënda e tenderit shtesë ka përfunduar në Organ Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), pas ankesës të grupit të operatorëve me çmim më të lirë, që u shpall i papërgjegjshëm.

Grupi i operatorëve ekonomik “Progres L.L.C” dhe “Albini Construction Sh.P.K” pretendon se dokumentet nuk janë përfillur nga Zyra e Prokurimit.

“Ministria e Arsimit, përmes vlerësimit të ofertave, si dhe përmes vendimit kundrejt kërkesës për rishqyrtim ka shkelur dispozitat ligjore në tërësi pasi që ne si EO në ofertë kemi prezantuar deklaratën e krijimit të grupit-konsorciumi”, thuhet në ankesën e këtij grupi.

Ankesa është ende në shqyrtim dhe për të ende nuk ka një raport nga ekspertët.

Në dosjen e tenderit është thënë se autoriteti kontraktues ka eliminuar ofertën e operatorëve ekonomikë për shkak se nuk ka dërguar deklaratat e secilit operator ekonomik. Po ashtu, në dosje është thënë se kontratat e punëtorëve janë juridikisht të parregullta: “Nuk kanë datë të fillimit as të mbarimit”.

E grupi i operatorëve ekonomikë pretendon se kontratat janë valide. “Kontratat e prezantuara në ofertë të gjitha janë valide, përkatësisht të njëjtit janë deklaruar edhe në Administratën Tatimore të Kosovës”, thuhet në ankesën e grupit.   

E përderisa ende nuk kanë filluar punimet për objektin e ri, mësimdhënësit thonë se godina aktuale nuk i përmbush kushtet për mësim normal.

Muret e plasaritura, mungesa e hapësirave për laboratorë, për Nuhi Krasqnin, mësimdhënës klasor, vështirëson zhvillimin e procesit mësimor.

“Ka ra mallteri që është e lymja, çështja elektrike nuk është mirë. Ngrohjen e kemi me stufë, po të kishi ardhë një ditë tjetër kur frynë veriu shumë këtu në klasën ku punojmë ne, ka tym, duhet me i hap dritaret dhe nuk mbahet mësimi normal”, ka thënë ai.

Edhe përfaqësuesit e fshatit shprehën nevojën për objekt të ri.

Sipas banorëve, objekti aktual daton që nga vitet 70.

Afrim Krasniqi, përfaqësues i banorëve të fshatit, ka thënë se objekti aktual përbën rrezik për nxënësit për shkak të vjetërsisë.

“E ka diku çelikun 8 milimetra e diku 10 milimetra, është materiali shumë më i dobët se që duhet sot, falë Zotit që nuk ka pasur ndonjë tërmet apo diçka pasi kjo ka mundur deri tash të përfundojë me ndonjë fatalitet. Ne si fshatarë e shohim të arsyeshme pasi kanë kalu shumë vjet që kur kjo shkollë është ndërtua”, ka thënë Krasniqi.