Arbëri

Keqpërdorimi i ujit, enorm në verë

Drejtori i Ujësjellësit “Prishtina”, Sokol Xhafa, deklaroi se keqpërdorimi i ujit nga konsumatorët është shumë i madh, sidomos gjatë stinës së verës.

Ai tha në emisionin “SOT” të KTV-së, të hënën, se furnizimi me ujë nga Kompania Rajonale “Prishtina” është vetëm për amvisëri, e jo për ujitje të tokave.

“Disa konsumatorë në pika të larta nuk po arrijnë të furnizohen me ujë, ndonëse ne po e bëjmë furnizimin. Problemi vazhdon të jetë me keqpërdoruesit. Keqpërdorimi shumë i madh, konsumimi shumë i madh. Ne nuk kemi ujë për t’i ujitur tokat, në temperatura të larta uji po keqpërdoret për ujitje. Një qytetar njoftoi se të afërmit i sheh duke ujitur tokat, ndërsa vet nuk ka ujë. Në kushte normale, ujë ka për të gjithë”, deklaroi Xhafa.

Në inspektimet që u kryen javën e kaluar, Xhafa tha se u gjetën shumë keqpërdorime, sidomos në zonën e Veternikut.

“Gjatë javës që shkoi kishim inspektime në shumë zona, nëse me këto thirrje që i bëjmë, nuk vetëdijesohen, detyrohemi që me qëllimin që të jemi të barabartë për të gjithë konsumatorët, duhet t’i disiplinojmë këta konsumatorë disi. Për fat të keq, gjetëm shumë keqpërdorues. Kjo na bëri që ta zgjerojmë këtë aksion”, tha ai, derisa shtoi se inspektimet që janë kryer javën e kaluar, janë gjetur shumë keqpërdorime, sidomos në zonën e Veternikut.

Sipas tij, faturimi i gjobës ndaj keqpërdoruesve të ujit mund të shkojë deri në dymijë euro.

“Ne nuk ndajmë gjoba mandatorë në terren, ato i ndanë pjesa e inspektorateve komunale. Ligji na lejon që kur zihen keqpërdoruesit, trajtohen me kodin penal, e dënimi mund të jetë deri në 3 vjet burg. Varet prej llojit, faturimi mund të shkojë deri në 2 mijë euro. Duhet ta kuptojmë që nuk është dëmshme nëse dikë e sheh që po e vjedh ujin, e ti e njofton. Ne nuk i publikojmë emrat kush na ka raportuar”, shtoi Xhafa, derisa shtoi se problematika më e madhe e ujit është në Badovc, për shkak të nivelit jo të kënaqshëm të ujit.

Ai tha se zona e Batllaves qëndron më mirë, derisa shiu që ra javën e kaluar kishte intensitet të madh.

Kreu i KRU “Prishtinës” theksoi se dhe infrastruktura e tubave është shumë e vjetër, me ç’rast janë detyruar që shumë herë të kryejnë intervenime.

“Infrastruktura jonë është e vjetër, kemi tubacione në Prishtinë nga viti 1926 që janë në funksion. Janë në shumë raste të vjetëruara. Në Veternik janë instaluar në vitet 60-70 – ta”, shtoi tutje ai.

Xhafa tha se cilësia e ujit është në nivel të lartë, ndonëse si pasojë e mospagesës, që nga vitet e 90-ta, janë grumbulluar mbi 50 milionë euro.

“Kishim në fillimvit një trend të mirë të pagesave, po e analizojmë çka ka mundur të ndodhë. Uji vazhdon të jetë shumë lirë. 50 cent për 1000 litra ujë. Aktualisht këtë pjesë të tarifës kemi, autoriteti rregullator i ujit e ka vendosur këtë çmim”.

VIDEO: