Eksperti i sigurisë kibernetike, Andi Ahmeti, ka deklaruar se virusi që ka prekur faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i vjedh të dhënat e përdoruesve.
Të enjten në “Zgjedhjet në KOHË”, Ahmeti ka thënë se “Luma” është një vjedhës i të dhënave që ka për qëllim të infiltrohet në pajisjen e përdoruesve dhe t’i vjedhë të dhënat e ndjeshme për përdoruesit.
“Luma është një info-stealer apo nëse e përkthejmë në gjuhën shqipe, është një vjedhës i të dhënave. Qëllimi i vetëm është të infiltrojë pajisjen e përdoruesit, në këtë rast mund të jenë përdoruesit që e kanë vizituar faqen e KQZ-së gjatë kohës së zgjedhjeve dhe pas. Infiltrohet në pajisjen e përdoruesit për të përfituar sa më shumë të dhëna që mund të jenë shumë sensitive për përdoruesin, si passworde kredenciale bankare e dokumente të rëndësishme. Luma është një emër që i vendoset një lloj virusi, pasi virusa të tillë kemi shumë, por veçoria e këtij virusi është mënyra se si i shfaqet userit”, ka thënë ai.
Bajraktari: KQZ-ja nuk e ka kryer detyrën, ka pasur kohë të përgatitet

Avokati Ardian Bajraktari ka deklaruar se se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka kryer detyrën për çka paguhet.
Të enjten në “Zgjedhjet në KOHË”, ai ka thënë se ky institucion ka pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur, por ka dështuar ta bëjë.
Bajraktari ka theksuar se është dëmtuar kredibiliteti dhe besueshmëria e procesit zgjedhor.
“Është dëmtuar kredibiliteti i procesit zgjedhor, në theks të veçantë i rezultateve për faktin se hipotetikisht personat e përfshirë në proces zgjedhor përpiqen edhe finesat më të vogla t’i shfrytëzojnë në mënyrë që të vijnë në një konstatim real të procesit zgjedhor. KQZ-ja nuk e ka kryer detyrën për çka në fakt ata paguhen, me theks të veçantë sa i përket kredibilitetit dhe besueshmërisë së rezultateve në procesin zgjedhor për faktin se siç dihet ata vetëm për këtë punë janë. Është po ashtu e rëndësishme të theksohet fakti që ka pasur periudhë kohore të mjaftueshme për t’i bërë përgatitjet e duhura në çfarëdo varianti pasi që procesi zgjedhor, si rrallëherë pas shpalljes së pavarësisë thuajse asnjëherë nuk ka ndodhur të organizohet në afate të rregullta dhe në bindjen time KQZ-ja nuk i ka bërë përgatitjet e mjaftueshme edhe në drejtim të implementimit të infrastrukturës së re ligjore, pasi që së fundmi kemi ndryshim të legjislacionit, pastaj kemi mungesë të përgatitjes së stafit, jam i njoftuar që ka pasur mungesë të trajnimeve adekuate. Të gjitha këto kanë rezultuar me një proces që është tej mase i lënduar sa i përket kredibilitetit dhe besueshmërisë”, ka thënë ai.
Cana: Në një moment, kërkesat në faqen e KQZ-së shkuan në 1.8 miliard
Lirak Cana, menaxher i Departamentit të zhvillimit softuerik në Cacttus, ka deklaruar se uebfaqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka pasur probleme me sulme kibernetike.
Ai ka thënë të enjten në “Zgjedhjet në KOHË” se më 9 shkurt, kërkesa për të hapur faqen ka shkuar në 1.8 miliardë përdorues.
Cana bëri me dije se procesi për qasje nga jashtë është ndaluar, por ajo edhe e brendshmja.
“Sistemi është i instaluar në serverët e KQZ-së, e që janë në infrastrukturën e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI). Problemi ka qenë me sulmet kibernetike që kanë bërë kërkesa të larta, e në një moment ka arritur kërkesa në 1.8 miliardë, e si rrjedhojë është ndaluar procesi i qasjes nga jashtë”, ka thënë ai.
Eksperti i kibernetikës: Faqja statike e KQZ-së, e infektuar me virusin “Luma”
Korab Keqekolla, njohës i çështjeve të sigurisë kibernetike, ka deklaruar se uebfaqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), kishte telashe të mëdha sigurie.
Ai është shprehur të enjten në “Zgjedhjet në KOHË” se uebfaqja ishte prekur nga virusi “Luma” dhe kishte edhe telashe të tjera.
“Duke i parë postet kemi parë në faqen statike linqe për shkarkimin e antiviruseve pa pagesë. Ka qenë absurde”, u shpreh ai.
Keqekolla ka thënë se puna në detektimin e problemeve është bërë në mënyrë vullnetare.