Arbëri

Këmbimi i pronave thellon krizën në Kuvendin e Prishtinës

Ndertesa e Komunes se Prishtines

Kundër këmbimit të pronës komunale në “Prishtina e Re” me atë private në Badoc, për të cilën raportoi KOHA, janë deklaruar në LVV e PDK. Por, eksponentë të këtyre dy partive akuzuan njëri-tjetrin se e ndihmuan dhe se po e ndihmojnë kryetarin e Komunës, Përparim Rama, në këtë proces. E, në mungesë të asamblistëve të PDK-së e LDK-së, parti që janë në koalicion në kryeqytet, ka dështuar seanca e Kuvendit Komunal, ku me propozim të asamblistëve të LVV-së do të tentohej të anulohej ajo pronë

Ekzekutivi në Prishtinë e bojkotoi seancën e Kuvendit Komunal që e thirri vetë, me qëllim të vendosjes për shumë çështje, mes të cilave edhe për propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje që të anulohej vendimi mbi këmbimin e pronave që e raportoi KOHA.

Asnjëri nga asamblistët e LDK-së nuk mori pjesë në seancë, teksa bojkotin e nisur që prej rreth 3 muajsh e vazhduan edhe ata të PDK-së.

Pëllumb Bajqinovci, kryesues i Kuvendit Komunal dhe anëtar i vetëm i LDK-së i pranishëm në sallë, konstatoi se shkaku i mungesës së kuorumit seanca nuk mund të mbahej.

“Janë gjithsej 20 anëtarë, atëherë e shohim të pamundur që të vazhdojmë dhe propozojmë që takimi i sotëm të mbyllet dhe të vazhdojë në seancën e radhës”, ka thënë Bajqinovci.

Pas kësaj ai doli nga salla teksa aty qëndruan asamblistët e opozitës, të cilëve më pas iu bashkua, për vetëm disa minuta, njëri nga asamblistët e PDK-së.

Mungesën e ekzekutivit dhe të asamblistëve të LDK-së e PDK-së, që e përbëjnë koalicionin qeverisës në Prishtinë, Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të Vetëvendosjes në opozitë, e ndërlidhi me propozimin e partisë për anulimin e vendimit për këmbimin e pronave.

“Kjo është shpërfaqje e mendësisë së koalicionit LDK-PDK, pa i ndarë asnjërin. Prej orësh është dashur të fillonte seanca e ftuar prej ekzekutivit. Mirëpo as LDK e as PDK, e asnjë prej drejtorëve dhe asamblistëve nuk është i pranishëm. Arsyeja është shumë e qartë: E kemi bërë mbrëmë publike se Lëvizja Vetëvendosje do të propozojë anulimin e vendimit të datës 21 dhjetor në lidhje me këmbimin e pronave”, ka thënë Sveçla.

Votën e asamblistëve të AAK-së për anulimin e vendimit të këmbimit të pronave, kurdo që seanca të mbahet, e premtoi shefi i asamblistëve të kësaj partie, Bahri Gashi.

“Pas këtij bojkotimi fshihet dështimi i tyre sepse nuk po munden me u marrë vesh për gjëra të ndryshme. Sot kanë pasur me u zhvillu shumë ngjarje. Përveç kësaj e kemi pasur edhe propozimin e Vetëvendosjes për anulimin e këtij këmbimi”, ka thënë Gashi.

E shefi i asamblistëve të PDK-së, Leotrim Ratkoceri, në një konferencë shtypi pas dështimit të seancës i fajësoi asamblistët e LVV-së që qëndruan në sallë, kur u mor vendimi për këmbim pronash.

“Partneri i koalicionit në krye me kryetarin Rama beson që vendimi është i duhur. Të njëjtën, me të drejtën e tij, e ka paraqitur edhe në një konferencë për media. Ky vendim mori mbështetje në Kuvend nga shumica e asamblistëve prezentë në mbledhje, por u mundësua vetëm sepse LVV çuditërisht vendosi të qëndronte në sallë”, ka thënë Ratkoceri.

Lidhur me procesin as në LDK e as kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS.

Para tre vjetësh Rama pati klientë pronarët e mbi 8 hektarësh tokë në Badoc, ku planifikohej ndërtimi i një lagjeje. Projekti qe ndaluar në kohën kur Lumir Abdixhiku ishte ministër i Ambientit. Por, në fund të muajit të shkuar, me propozim të Ramës e me ndihmën e asamblistëve të Vetëvendosjes që e bënë kuorumin, Kuvendi Komunal vendosi që ajo të këmbehej me një pronë tjetër gati trefish më të madhe në zonën “Prishtina e Re”.