Arbëri

Kelmendi: Ka shumë pak zyrtarë të shërbimeve sociale krahas numrit të madh të rasteve

Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit për Mbrojtjen e Fëmijëve, ka numëruar sfidat me të cilat përballen qendrat për punë sociale në Kosovë.

Në Interaktiv të KTV-së ajo ka thënë se qendrat për punë sociale mbijetojnë me probleme prej vitesh.

Një prej sfidave është legjislacioni pasi siç ka thënë ajo, nuk ka harmonizim mes ligjeve.

“Të gjeturat kryesore, te pjesa e legjislacionit kanë dalë sfida të shumta edhe në aspektin ligjor. E para, ligji në fuqi që rregullon qendrat për punë sociale është ligji për shërbime sociale dhe familjare, një ndër sfidat është që nuk ka një harmonizim të mirë mes ligjeve. Nuk janë të qarta kompetencat për shërbime sociale në nivelin komunal dhe nivelin qendror”.

Kelmendi ka shtuar se sfidë tjetër është ofrimi i shërbimeve dhe rregullimi i financimit.

“Çështje tjetër është ofrimi i shërbimeve, ligji për shërbime sociale përcakton një gamë të shërbimeve që duhet të ofrohen por kryesisht është i orientuar drejt shërbimeve për mbrojtje. Derisa pjesën e parandalimit, shërbimet parandaluese dhe shërbimet për integrim, janë shumë pak të trajtuara në ligjin në fuqi. Në ligjin e ri duhet të zgjerohet gama e ofrimit të shërbimit. Mungesa e rregullimit të financimit të shërbimeve sociale. Financimi i shërbimeve sociale është ndër sfidat kryesore”.

Ajo është ankuar edhe për numrin e zyrtarëve të shërbimeve sociale. Kelmendi ka deklaruar se ekziston numër shumë i vogël zyrtarësh krahas numrit të madh të shërbimeve që duhet të jepen.

“Krahas sfidave ligjore, ka shumë edhe sfida në funksionim dhe kushte të punës. Janë rreth 400 punëtorë socialë, ‘zyrtarë të shërbimeve sociale’ është titulli, dhe brenda këtij titulli mund të jenë 5 profesione siç i përcakton ligji. Sfidat që janë përmendur, është numri i vogël i zyrtarëve, nuk ka formulë të përcaktuar nga ministria apo standard për punësimin e zyrtarëve të shërbimeve sociale në raport me numrin e popullsisë”.

Ndërkohë, ka treguar edhe për numrin e rasteve që trajton një zyrtar në një komunë.

“Për momentin kemi numër shumë të vogël të zyrtarëve që përballojnë numër shumë të madh të rasteve. Komuna e Prishtinës ka raportuar që një zyrtar trajton 318 raste në vit, që është numër enorm, apo Komuna e Ferizajt që një zyrtar trajton 270 raste në vit. Këta janë numra shumë të lartë të rasteve, është vështirë të presim të ketë cilësi në ofrimin e shërbimeve nga një zyrtar për numër kaq të lartë të rasteve”.

Kelmendi ka thënë se 50% e qendrave për punë sociale kanë qasje të vështirësuar për personat me aftësi të kufizuara.