Arbëri

KEK-u u reagon banorëve të Shipitullës: Shpronësimi i tokave bëhet bazuar në Planin Kryesor Xehetar

Shipitulla

Foto: Alban Bujari

(16:24) - Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka thënë se shpronësimi i tokave në fshatin Shipitullë të Obliqit bëhet vetëm bazuar në Planin Kryesor Xehetar dhe legjislacionin në fuqi.

Banorët e Shipitullës të martën [sot] protestuan para objektit të KEK-ut në Prishtinë, duke kërkuar takim me Bordin e kësaj ndërmarrje. Banorët thonë se KEK-u po do ta shpronësojë të gjithë fshatin.

Përmes një reagimi, KEK-u ka thënë se i ka adresuar tek organet relevante të drejtësisë disa prej shqetësimeve të banorëve.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ashtu siç ka njoftuar banorët në takimin e datës 24.05.2024, njoftimin publik dhe njoftimin për komunën e Obiliqit pas takimit, si dhe njoftimin publik dhe njoftimin për komunën e Obiliqit dhe Fushë Kosovës me datë: 27.06.2024, përsëri njofton banorët përreth fushës së operimeve të cilët përmes protestave po shprehin pakënaqësitë e tyre rreth procesit të shpronësimit, se përvetësimi i tokës për nevoja xehetare (përmes Zhvendosjes/Shpronësimit) nga KEK bëhet vetëm bazuar në Planin Kryesor Xehetar dhe në legjislacionin në fuqi, përfshirë Kornizën e Politikave të Zhvendosjes (KPZH), Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme në Kosovë dhe Ligjin për Miniera dhe Minerale (LMM). Për më tepër, edhe sa i përket shqetësimeve (pretendimeve) të banorëve në lidhje me procesin e shpronësimeve, KEK për hire të transparencës të gjitha i ka adresuar tek organet relevante të drejtësisë. Prandaj, sa i përket përvetësimit të tokave dhe zgjerimit të minierave (për arsye të tjera), që nuk janë në përputhje me Planin Kryesor Xehetar, dhe planet tjera operative, përsëri ju bëjmë të ditur se kjo çështje është përtej kompetencave dhe interesit të KEK”, thuhet në reagim.


“Shpronësojeni gjithë fshatin”, banorët e Shipitullës protestojnë para KEK-ut në Prishtinë

Dhjetëra banorë të fshatit Shipitullë të Obiliqit kanë protestuar të martën para zyrave të KEK-ut në Prishtinë.

Banorët kanë kërkuar takim me Bordin e KEK-ut lidhur me shpronësimet e tokave, por që nuk kanë arritur të takoheshin.

Banori i fshatit Shipitiullë, Mus Mjeku ka thënë se që nga data 24 maj e kanë bërë këtë kërkesë, por nuk ka pasur ndonjë përgjigje nga bordi.

“Ne nuk jemi ardhur me dhunë, nuk jemi ardhur me bë kurrgjë. Nuk jemi ardhur me e sulmuar askënd, vetëm për të treguar që e kemi një kërkesë të kamotshme. I kishim lut dikush nga KEK-u të del me na dhënë një përgjigje, pse që një muaj e gjysmë nuk na ka dhënë përgjigje. Me të 24-tin kemi bërë kërkesë. Nuk kemi përgjigje as pozitive as negative, po te dimë nga të shkojmë. Për në fshatin Shipitullë e dinë edhe bota se kanë marr informata. Ju kisha lut le të pranon dikush të flet ndonjë zyrtarë i KEK-ut", ka thënë Mjeku.

Ndërsa, Ferki Mjeku ka shtuar se që nga viti 2004, banorët e këtij fshati nuk kanë të drejtë as të ndërtojnë shtëpi.

Mjeku: Na kanë blloku krejt edhe prej 2004-ës nuk na kanë lënë me e ndërtua asnjë shtëpi

“Na kemi ardhur sot me i kërku të drejtat tona. Na është bërë një e padrejtë e madhe na kanë blloku rrugën, na kanë blloku krejt edhe prej 2004-ës nuk na kanë lënë me e ndërtua asnjë shtëpi. Tash neve na kanë anashkalua, rrugën na kanë mbyllë, nuk po kemi si me ja mbajt, kështu që kërkesa jonë është vetëm me na shpronësua. Tokat na kanë marrë vetëm shtëpitë na kanë lënë, ka shumë zhurmë, sidomos natën nuk rrihet prej zhurmës... Protestat nuk do t’i ndalemi kurrë, derisa të na realizohen kërkesat tona”, ka shtuar Mjeku.

Po ashtu, Shemsi Mjeku ka theksuar se nuk do të dorëzohen derisa të marrin një përgjigje nga bordi.

Mjeku, ka potencuar se janë me fakte që disa toka janë shpronësuar në këtë fshat, por se kërkesa është që të shpronësohen në të gjithë fshatin.

“Sipas tregimit të tij, zhurma është e padurueshme si dhe nuk ka rrugë, ambulantë e as shkollë.“Do ta vazhdojmë protestën për çdo herë deri të plotësohen kërkesat…duhet me pas rezultat sepse na kanë bërë të padrejtë. Me fakte, i kanë shpronësua disa të tjera neve nuk na kanë shpronësu për ata po duam ta shpronësojmë të gjithë fshatin. Është e pamundshme, aty është zhurmë, na kanë marrë rrugën, ambulantë nuk ka, as shkollë, duhet me i dërgu në Obiliq, ose me ardhë për Fushë Kosovë me shku në Obiliq. Nuk ka jetë aty, ka shtëpi që nuk i ka as 10 metra ku janë të vendosura. A është e parapamë me ligj të KEK-ut 150 nuk është, a 250 sot me letër, a nuk u ka 200 metra deri në fund të katundit. Me 24 muajit që shkoi ia kemi bërë kërkesën, nuk ka lëviz asgjë duhet me na tregu pse si tek tash po presim ndoshta del dikush”, ka potencuar ai.

Pas mosrealizimit të kërkesës për një takim me bordin e KEK-ut, protestuesit kanë vazhduar tek Ministria e Ekonomisë, pasi edhe në këtë institucion e kanë dërguar kërkesën e njëjtë për takim.

Protestuesit janë duke qëndruar para dyerve të ministrisë duke pritur një takim me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli./ksp