Korporata Energjetike e Kosovës ka miratuar të premten tarifat me të cilat kapacitetet e ndërmarrjes do t’u ofrohen partnerëve afaristë, KEDS-it/KESCO-s dhe KOSTT-it për periudhën 1 prill 2025 – 31 mars 2026.
Sipas njoftimit pas mbledhjes së Bordit të Drejtorëve, është thënë se tarifat e prodhuesit të KEK-ut nuk kanë ndryshuar prej vitit 2019.
“Vlen të theksohet se tarifat e prodhuesit KEK kanë mbetur të pandryshuara që nga viti 2019. KEK vazhdon të mbetet kontribuesi kryesor në sigurimin e çmimit më të ulët të mundshëm të energjisë elektrike në rajon dhe më gjerë, pavarësisht vështirësive të prodhimit, investimeve kapitale në mirëmbajtjen e teknologjisë, si dhe sfidave të tjera që KEK ka hasur gjatë periudhës së pandemisë dhe krizës globale energjetike që ka pasuar pas luftës në Ukrainë”, thuhet në njoftim.
Tarifat e aprovuara për këtë periudhë janë si vijon:
• Për KESCO – shërbimi universal: 29.50 € për MW/h
• Për KEDS – humbjet në rrjete: 36.00 € për MW/h
• Për KOSTT – humbjet në transmission: 36.00 € për MW/h
Po të premten ka qenë afati i fundit për të dorëzuar komente pranë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë mbi propozimin që rryma të shtrenjtohet për 15 për qind nga 1 prilli.