Pesë familje egjiptiane dhe dy familje shqiptare, me gjithsej 25 anëtarë, të gjithë shtetas të Kosovës, që jetojnë në kushte tejet të vështira në objektin e ish-burgut në fshatin Gurakoc të Istogut, kanë mbetur edhe pa energji elektrike që nga dita e mërkurë, kur një ekip i KEDS-it ua ka ndërprerë rrymën.
Gazmend Vrankaj, njëri prej banorëve në atë “burg”, me grua dhe gjashtë fëmijë, tregoi se KEDS-i ua ka ndërprerë rrymën pa asnjë paralajmërim. “Unë jam këtu qe 7 vjet dhe deri tash asnjëherë nuk kanë qenë me na kërkua diçka dhe nuk na kanë thënë kurrë se duhet me pagua, dhe nuk na kanë paralajmëruar se do na e ndërpresin rrymën nëse nuk paguajmë, shkruan sot Koha Ditore.
Dhe kanë ardhur pa paralajmërim dhe na e kanë ndërprerë rrymën, edhe pse Komuna na ka premtuar para dy vjetëve se askush nuk mundet me na e ndërpre rrymën”, ankohet Vrankaj. Sipas tij, KEDS-i iu ka thënë banorëve në atë objekt se ka borxh shumë dhe se duhet të regjistrohet ora e rrymës.
“Këtu kanë ndejtë prej pasluftës me dhjetëra familje që kanë ardhur e kanë shkuar e tash na që jemi këtu ku me i marr mbi 5 mijë euro me pagua rrymën. Me i pas ato pare na ndërtojmë një shtëpi dhe nuk jetojmë këtu në këto kushte tash edhe ftohet e pa rrymë... mos vetë hiq.. tash tamam sikur me qenë në burg ku jemi”, thotë Vrankaj.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)