Zëri i Kosovës në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns ka drejtuar kritika në drejtim të Bashkimit Evropian, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe, të cilat nuk po marrin masa ndëshkuese ndaj Serbisë pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë. Në një intervistë për KOHËN, Kearns ka kërkuar presion më të madh ndaj Serbisë nga faktori ndërkombëtar për ekstradimin e Milan Radoiçiqit në Kosovë. Ligjvënësja britanike ka ngre shqetësimin se Beogradi zyrtar potencialisht po vazhdon mbështetjen e grupeve serbe në Kosovë. Kearns, që drejton edhe Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit britanik, ka thënë se me sjelljen ndaj Serbisë, Perëndimi po tregon se nuk ka marrë mësim nga agresioni i Rusisë.
KOHA: Së fundi, ju bashkë me 13 kryesues të komiteteve për punë të jashtme të shteteve evropiane, u keni kërkuar Borrellit dhe Lajçakut heqjen e masave ndaj Kosovës. A prisni që këto masa të hiqen shpejt?
Kearns: Mund vetëm të shpresoj që ata do të dëgjojnë zërat e 13 kryetarëve të komisioneve parlamentare në të gjithë Evropën. E vërteta është se kjo është letra e dytë që unë e kam shkruar. E para ishte në fillim të vitit, të cilën mbi 17 politikanë në mbarë Evropën e kanë nënshkruar, duke bërë thirrje për ndryshim. Kjo është e çështja e vetme, përpos asaj të Ukrainës, që kemi parë kaq shumë deputetë të bashkuar në unitet. Ne duhet të shohim ndryshim dhe shpresoj se ata do na dëgjojnë.
KOHA: Ju keni kërkuar gjithashtu ekstradimin e Milan Radoiçiqit në Kosovë dhe hetim të plotë të ekipit të sulmit terrorist. A prisni nga Serbia bashkëpunim në këtë pjesë? Dhe ju prisni kënaqësi në përmbushjen e Serbisë ?
Kearns: Mjerisht, mendoj se është jashtëzakonisht e pagjasë që Vuçiqi ta bëjë gjënë e duhur dhe ta ekstradojë atë (Radoiçiqin). Sidoqoftë, kjo është edhe arsyeja përse Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara duhet të jenë shumë të qarta me Vuçiqin se do të ketë pasoja po qe se nuk e shohim tek e ekstradon atë. Ne dimë se gjykatat e Kosovës janë legjitime, e dimë se Kosova ka një sistem të mirë policor. Kemi nevojë që të shohim drejtësi. Familja e policit që është vrarë ka nevojë që të shohë drejtësi, por unë nuk kam besim se Serbia do t’i përmbushë obligimet e veta.
KOHA: Ju keni folur vazhdimisht për armët që po sillen në veri të Kosovës nga Serbia dhe a po ruhen në kisha, bazuar në informacionet që posedoni, a po vazhdon ende kjo kontrabandë?
Kearns: Mendoj se, mjerisht, ka të ngjarë që ka ende shumë grupe të krimit të organizuar që operojnë në veri të Kosovës. Së fundmi kemi parë që Qeveria e Kosovës ka zbuluar sasi më të shumta armësh, por edhe fabrika kanabisi që punojnë në veri. Andaj, mendoj se fatkeqësisht ka ende grupe të krimit të organizuar. Jam e kënaqur që Britania e Madhe ka dislokuar forca shtesë në kuadër të KFOR-it dhe se prioriteti i tyre është mbrojtja e kufirit, pra, ndalimi i këtyre grupeve të krimit të organizuar që të hyjnë brenda dhe përreth kufirit. Mendoj se ka pyetje që duhen të marrin përgjigje nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë KFOR-in, i cili, kur unë e ngrita çështjen në fillim të vitit se po ndodh kontrabanda ilegale e armëve në veri të Kosovës, më tha se nuk ka dëshmi për këtë. Mendoj se ka ardhur koha që ata t’i rregullojnë të dhënat siç duhet dhe të pranojnë se kanë pasur të dhëna të inteligjencës se kjo po ndodh. Dhe gjithashtu çfarëdo hetimi që është duke u bërë për atë që ka ndodhur në fillim të këtij viti duhet të publikohet.
KOHA: Keni takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe udhëheqës të tjerë institucionalë. Osmani ka deklaruar ditë më parë se Serbia po planifikon sulme të reja në Kosovë nga grupe të ndryshme serbe. A prisni të ketë sulme të tjera?
Kearns: Shikoni, retorika që buron nga presidenti Vuçiq në prag të zgjedhjeve serbe është thellësisht shqetësuese. Mendoj se ka shqetësime reale se pa llogaridhënie Vuçiqi dhe shteti serb do të vazhdojnë të financojnë, mbështesin dhe të drejtojnë terroristët që operojnë përbrenda Kosovës. Kjo është ajo që e kemi parë me Rusinë. Ne, si Perëndim, dështuam që ta frenojmë Putinin. Dështuam kur thamë se do të ketë pasoja që do të pasonin. Dështuam ta frenojmë. Nuk guxojmë të lejojmë që kjo të ndodhë në Kosovë dhe sulmi në Banjskë, fakti që ende po jetojmë nën hijen e tij, pa një llogaridhënie, tregojnë se mësimet nuk janë nxjerrë.
KOHA: Kosova vazhdimisht ka kërkuar vendosjen e masave kundër Serbisë rreth sulmit në Banjskë. Bazuar në informatat tuaja, a po diskutohet kjo gjë në qarqet vendimmarrëse ndërkombëtare?
Kearns: Më thyhet zemra kur them se nuk di për këtë. Por ajo që kemi parë deri më tash është një dështim, një model të përsëritur dështimi. Andaj, pas sulmeve në maj nuk pamë reperkusione, pas kidnapimit të tre policëve nga Serbia nuk pamë reperkusione, pas Banjskës ende nuk po shohim reperkusione. Duhet të shohim llogaridhënie ngase pa llogaridhënie nuk ka të vërtetë, nuk ka drejtësi dhe nuk e di se si vendet janë në gjendje të ndërtojnë dhe të ecin përpara në këto bisedime të paqes, për të cilat duhet t’u jepen kredi kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani që vazhdojnë të përfaqësojnë vendin e tyre aq mirë në skenën botërore dhe prapëseprapë pajtohen me atë që BE-ja ka kërkuar. Dhe është përsëri Serbia ajo që ka thënë ‘jo’, është Serbia ajo që është tallur me BE-në dhe është Serbia që është larguar. Ne duhet të shohim siguresa. Kjo nënkupton vija të kuqe që ne i imponojmë dhe nënkupton llogaridhënie për ata në terren.
KOHA: Anëtarët e grupit terrorist serb që realizuan sulmet janë vënë në listën e INTERPOL-it. A prisni bashkëpunim nga shtetet anëtare të saj në arrestimin e tyre, duke përfshirë edhe Serbinë?
Kearns: Për të gjitha vendet që e njohin Kosovën natyrisht se pres që do t’i përmbahen asaj liste të kuqe. Mjerisht, ato që nuk e njohin duket si e pamundur se do t’u përmbahen. Do t’i nxisja, veçanërisht vendet anëtare të BE-së: Duhet ta njihni Kosovën tani, ndaloni së përpjekuri të sugjeroni se njohja e Kosovës është e ndërlidhur në çfarëdo mënyre me mosmarrëveshjet tuaja kombëtare apo vetë mosmarrëveshjet tuaja ndërkombëtare dhe përqendrohuni në atë që populli i Kosovës e meriton. Mendoj se është turp i madh, por jo, nuk shoh se Serbia kurdoherë do ta ekstradojë Milanin (Radoiçiqin). Prandaj na duhet BE-ja që të ushtrojë presion ndaj tij (Vuçiqi) për ta bërë këtë gjë.
KOHA: Sa e angazhuar është Britania e Madhe në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë në zgjidhjen me dialog të marrëdhënieve të tensionuara midis Kosovës dhe Serbisë?
Kearns: Mendoj se duhet ta keni të qartë, se nga këndvështrimi im, unë do të vazhdoj që ta ngre zërin për popullin e Kosovës. Kam dëgjuar nga David Camerooni, sekretari i Jashtëm, se të hënën do të paraqitet në komitetin tim. Mund t’ju siguroj se do të ngre sërish me të çështjen e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor dhe do të vazhdoj që ta ngre zërin tim, ngase besoj se në mbrojtjen e vendeve, në vetëvendosje dhe në parandalimin e konflikteve. Pikërisht kjo është ajo që do të vazhdoj ta bëj dhe do të punoj që të sigurohem që Qeveria ime ta bëjë të njëjtën gjë.