Edhe zyrtarisht, Komisioni Evropian ka miratuar vendimin për ta rekomanduar nisjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Bosnjë-Hercegovinës. Pas këtij vendimi, vetëm Kosova mbetet vend në procesin e zgjerimit që nuk ka status të shtetit kandidat
Komisioni Evropian ka miratuar sot edhe formalisht vendimin për të rekomanduar nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë-Hercegovinën, duke konstatuar se ky vend ka bërë progres në përmbushjen e kritereve që janë kërkuar.
Vendimi u miratua në takimin e kolegjit të komisionerëve që u zhvillua sot në Strasburg dhe vendimin para gazetarëve e ka shprehur Marosh Shefçoviq, zëvendëspresident i Komisionit Evropian.
“Ia kemi rekomanduar Këshillit nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë-Hercegovinën dhe që të miratojë edhe kornizën negociuese kur Bosnjë-Hercegovina të bëjë hapa në përputhje me raportin e Komisionit Evropian”, tha ai.
Vendimin, sot më herët gjatë ditës, e kishte paralajmëruar edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ajo tha se raporti i përpiluar nga Komisioni Evropian dëshmon se Bosnjë-Hercegovina ka arritur progres dhe se si rezultat i këtij progresi rekomandohet që Këshilli të vendosë për nisjen e negociatave të anëtarësimit.
“Prej kur i dhamë statusin e vendit kandidat Bosnjë-Hercegovinës, ajo ka bërë hapa impresivë drejt nesh. Më shumë progres është arritur në një vit sesa një dekadë”, ka thënë Von Der Leyen.
Ajo si rezultate konkrete ka përmendur disa reforma që i ka miratuar së fundi Bosnjë-Hercegovina, e cila, mes tjerash, edhe e ka përshtatur politikën e saj të jashtme 100 për qind me atë të Bashkimit Evropian.
“Mesazhi nga Bosnjë-Hercegovina është i qartë, prandaj edhe mesazhi ynë duhet të jetë i qartë po ashtu. E ardhmja e Bosnjë-Hercegovinës është në Bashkimin Evropian”, ka thënë Von Der Leyen.
Pas rekomandimit të Komisionit Evropian, vendimin për nisjen e negociatave duhet ta marrin liderët e 27 vendeve anëtare që takohen në fund të javës së ardhshme në Bruksel.
Në procesin e zgjerimit tash ndodhen dhjetë shtete, nëntë prej të cilave kanë status të kandidatit, por vetëm Kosova mbetet si vend në procesin e zgjerimit që formalisht nuk ka status të vendit kandidat.