Arbëri

KE-ja kritikon Kuvendin për kuorumin dhe për dobësim të rolit mbikëqyrës ndaj Qeverisë

Komisioni Evropian e ka kritikuar Kuvendin për performancë të ngadaltë e për dobësim të rolit të tij në mbikëqyrjen e Qeverisë dhe të agjencive të pavarura. Në raportin për Kosovën është thënë se, me mungesën e kuorumit, pushteti e ka zvarritur përmbushjen e agjendës legjislative me kohë. Në shoqërinë civile konstatuan se gjetjet janë të qëndrueshme.

Problemi kronik i Kuvendit me mungesën e kuorumit për vendimmarrje është vërejtja kryesore ndaj këtij institucioni, e theksuar në Raportin vjetor të Progresit për Kosovën, që ka publikuar Komisioni Evropian. Në dokument thuhet se mungesa e numrave ka shkaktuar vonesa të konsiderueshme në miratim të ligjeve e për pasojë ka bartur seancë pas seance pikat e rendit të ditës. Komisioni Evropian ka konstatuar se legjislativi nuk ka arritur mjaftueshëm ta mbajë përgjegjëse as Qeverinë e as agjencitë e pavarura.

“Refuzimi i Qeverisë për t’iu përgjigjur pyetjeve parlamentare dobësoi ndjeshëm rolin mbikëqyrës të Kuvendit. Kuvendi ka mbetur i ngadalshëm në shqyrtimin e raporteve vjetore të agjencive të pavarura; një duzinë prej tyre është nën shqyrtim që nga viti 2022. Kjo pengoi aftësinë e Kuvendit për t’i mbajtur agjencitë përgjegjëse dhe për ta vlerësuar performancën e tyre”, shkruhet në raport.

Për rolin e dobët mbikëqyrës, sidomos karshi Qeverisë, shpreh vërejtje edhe Blerina Istrefi, koordinatore e projekteve në GLPS. Ajo thotë se përgjegjësi duhet të mbajë edhe kabineti qeveritar, por edhe deputetët.

“Është problem i të dy palëve, meqenëse edhe deputetët ndoshta nuk marrin përgjigje të duhura..., Por në të njëjtën kohë është problem edhe i deputetëve që nuk parashtrojnë pyetje karshi problematikave që ata i shohin”, deklaroi ajo.

Në raportin e Komisionit Evropian është konstatuar edhe se rezultate nuk kanë dhënë as komisionet e shumta hetimore të opozitës. 

“Me nismën e opozitës, Kuvendi ngriti disa komisione hetimore parlamentare. Megjithatë, Kuvendi nuk ishte në gjendje t’i përdorte ato në mënyrë efektive. Forcimi i ndërtimit të konsensusit, transparencës dhe mbikëqyrjes mund ta përmirësojë performancën e Kuvendit dhe të ndihmojë në krijimin e një procesi legjislativ më të qëndrueshëm dhe efikas”, thuhet në Raport.

E hulumtuesja Istrefi thotë se ndasitë e thelluara partiake në Kuvend kanë pamundësuar që debatet të bëhen përmbajtjesore dhe të trajtohen seriozisht preokupimet e qytetarëve.

“Deputetët duhet të kenë parasysh që me Kushtetutë është e paraparë që interesi të mos jetë vetëm politik, interesi duhet të jetë në të mirën e qytetarëve... Çështjet politike nuk duhet të jenë arsye që të ngecë Kuvendi në punën e tij”, ka shtuar ajo.

Kritikë i është dhënë edhe bojkotimit të Kuvendit nga deputetët e Listës Serbe që edhe një javë bëhen dy vjet prej kur nuk marrin pjesë në seanca, duke pamundësuar miratimin e projektligjeve vitale e amendamentimin e Kushtetutës.

Në raportin e Komisionit Evropian është shprehur shqetësim edhe për trajtim të projektligjeve me procedurë të përshpejtuar, si dhe për shkelje të afateve të Gjykatës Kushtetuese për rishikim të ligjeve.