Arbëri

KDI: VV-ja duhet të bëjë diskutime e kompromise politike për kryeparlamentarin

Kuvendi i Kosovës

Foto: Driton Paçarada

Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se përgjegjësia kryesore për të mbyllur me sukses seancën konstituive i takon Lëvizjes Vetëvendosje si fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Në një komunikatë për media, KDI-ja ka thënë se VV-ja e ka detyrë të udhëheqë procesin dhe të bëjë gjithçka që kërkohet – përfshirë kompromise politike – për të siguruar shumicën e nevojshme për të zgjedhur kryeparlamentarin.

Në përpjekjen e tretë për të konstituuar Kuvendin, deputetët miratuan raportin për verifikim mandatesh dhe bënë betimin. Por në dy tentativa, Albulena Haxhiu e VV-së mori vetëm 57 vota në votimin për t’u bërë kryeparlamentare. Pas kësaj, kryesuesi Avni Dehari shtyu seancën për të hënën.

“KDI bën thirrje që të gjithë deputetët, pavarësisht përkatësisë politike, të kontribuojnë në mbylljen me sukses të kësaj seance konstituive. Por, theksojmë që përgjegjësia kryesore bie mbi subjektin më të madh në Kuvend, Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka për detyrë të udhëheqë procesin dhe të bëjë gjithçka që kërkohet – përfshirë diskutime dhe kompromise politik – për të siguruar një shumicë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit”, thuhet në reagim të KDI-së.

Sipas KDI-së, zvarritja e mëtejme e procesit dëmton funksionimin e institucioneve, por rrezikon të thellojë edhe më tej krizën politike dhe institucionale.

Ndërkaq votimin e raportit për verifikim të mandateve, KDI-ja e ka vlerësuar hap të rëndësishëm. Por ka thënë se zgjidhja është e diskutueshme politikisht, por e paqartë juridikisht.

“Edhe pse raporti nuk përfshin dorëheqjet formale, në procesverbal janë përfshirë deklarimet verbale të Kryeministrit dhe ministrave në detyrë, të cilat u përdorën si bazë për tejkalimin e situatës – një zgjidhje kjo e diskutueshme politikisht por e paqartë juridikisht”, thuhet në komunikatë.

Lexo përditësimet tjera
Kuvendi

Haxhiu dështon të bëhet kryeparlamentare, seanca vazhdon të hënën

LIVE: