Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar nga pushteti që të mos e paralizojë punën e Kuvendit të Kosovës.
Në një konferencë për media të mbajtur të enjten, Violeta Haxholli nga KDI-ja ka thënë se sesioni vjeshtor, që është i fundit për këtë legjislaturë, përveç që është duke e vazhduar praktikën e zvarritjes së pikave të rendit të ditës në mungesë të kuorumit, është duke u sfiduar edhe nga veprime, të cilat sipas saj po e minojnë funksionimin e jetës parlamentare.
“Kur kanë mbetur rreth 2 muaj deri në përmbylljen e punës së kësaj legjislature, Kuvendi ka në agjendë plot 23 pika, që po barten nga seanca në seancë – disa prej tyre edhe që nga viti i kaluar. Përpos këtyre pikave, në këtë periudhë do të duhej të shqyrtoheshin edhe rreth 50 projektligje e vendime me interes jetik, që janë pjesë e agjendës legjislative”, ka theksuar Haxholli.
Ajo ka thënë se agjenda e ngjeshur nuk po reflektohet në planifikimet e Kuvendit për mbajtje të seancave dhe shqyrtim përmbajtjes legjislative.
“Nga fillimi i sesionit vjeshtor në javën e dytë të shtatorit, të tri seancat e thirrura janë mbyllur menjëherë në mungesë kuorumi – pa arritur që të miratohet ndonjë projektligj. Në javën e fundit, posaçërisht sfidues për punën e Kuvendit ka qenë bojkotimi i seancave plenare nga shumica parlamentare, në rastet kur opozita ka propozuar diskutime ose ka thirrur seanca të jashtëzakonshme për tema të rëndësishme”, ka deklaruar Haxholli.
Ajo ka thënë se është e paprecedentë që bojkoti si instrument politik parlamentar, shfrytëzohet nga partitë në pushtet, të cilat, në fakt, do të duhej të ishin përgjegjëse për funksionimin dhe mbarëvajtjen e punimeve plenare të Kuvendit.
“I papranueshëm është edhe veprimi i kryetarit Glauk Konjufca për të shmangur udhëheqjen e seancave të fundit të thirrura nga opozita – përkundër që ky përbën një obligim të tij kushtetues. Kuvendi duhet të jetë hapësira kryesore për të zhvilluar debat të hapur dhe konstruktiv për çështje janë në interes të publikut; dhe jo të konsiderohet vetëm si makineri votimi. Debatet i formësojnë opinionet publike, i japin drejtim politikave, si dhe prodhojnë alternativa për vendimet që merren në Kuvend”, ka deklaruar Haxholli.
Ajo ka theksuar se në periudhën e mbetur, Kuvendin e pret vendimmarrja për marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, dhe një sërë projektligjesh që kanë ndikim në proceset ekonomike dhe integruese të Kosovës.
“Vazhdimi i praktikave sabotuese të jetës parlamentare nga pozita dhe shfrytëzimi i Kuvendit si platformë për qëllime elektorale, e rrezikon këtë vendimmarrje dhe i kontribuon polarizimit, që reflekton negativisht edhe tek qytetarët, sidomos tani në prag të zgjedhjeve. Për një proces parlamentar të qëndrueshëm dhe produktiv, opozitës duhet ti garantohet hapësira e nevojshme për debat. Në anën tjetër, për miratimin e ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, partia në pushtet duhet t’i sigurojë numrat e nevojshëm dhe për këtë duhet të ju prijë përpjekjeve për konsensus me partitë opozitare”, është shprehur Haxholli.
Pa praninë e deputetëve dhe të kabinetit qeveritar është zhvilluar të mërkurën edhe seanca e tretë e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita.
61 deputetë të pushtetit nuk e kanë parë të rëndësishme që të diskutojnë lidhur me keqpërdorimet milionëshe në Ministrinë e Mjedisit, për të cilën çështje një javë më parë janë arrestuar dy zyrtarë të shtetit.
Seanca e së mërkurës, e cila është thirrur nga opozita për debat të jashtëzakonshëm, ka qenë e treta brenda një jave që është bojkotuar nga mazhoranca.