Në një konferencë mbi transparencën dhe llogaridhënien e financave të subjekteve politike, mbajtur të premten, është shtruar nevoja për raportim të rregullt dhe qasje në pasqyrat financiare të tyre. Deputetët opozitarë të pranishëm në konferencë u pajtuan se ka mungesë të transparencës, e përfaqësues të KDI-së vlerësuan se me gjithë që Ligji i ri është në fuqi prej një viti, ai nuk ka ndikuar që të adresohen problemet
Rëndësia e transparencës dhe e llogaridhënies së partive politike mbi financat e tyre u theksua nga deputetët e subjekteve opozitare, në panelin e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës. Në konferencën rajonale “Kuleta transparente: Avancimi i financimit politik”, përfaqësues të KDI-së e kualifikuan si sfidë pamundësinë e qasjes në pasqyrat financiare të partive politike.
Teksa e pranoi nevojën për transparencë, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, kërkoi që të ketë edhe barazi gjinore në ndarjen e financave brenda subjekteve politike.
“Fushatën e kam zhvilluar vetë me financat e mia dhe as nuk e kam ditur se a duhet që të kem financa nga partia ime, sepse ose nuk ka pasur kohë dhe mundësi për të diskutuar për atë gjë e as a mund të kem unë qasje aty dhe si mund të jetë ajo qasje për mua si grua ose për gratë e tjera. Nëse flasim në përgjithësi, PDK-ja, nëse i shihni financat e partive politike në raportimet e KQZ-së, megjithatë del me pasqyra të mira nga auditorët e pavarur. Mendoj që duhet të punohet tutje në transparencë më të madhe se si financimit të partive politike, ku rrjedhin ato fonde, prej nga vijnë, ku shpenzohen ato fonde dhe cili është benefiti i atyre fondeve, si përkthehet në financim në Kuvendin e Kosovës apo në Qeveri”, ka thënë Hoxha.
Armend Zemaj, deputet i LDK-së, ka përmendur mangësitë në raportimin e shpenzimeve financiare, teksa shprehu vërejtje për mungesën e përfaqësuesve të partisë në pushtet në panel.
“Në aspektin e përgjithshëm Kosova ka progres në këtë temë. Financimi, shpenzimet dhe raportimet, që të tria i kanë anët pozitive dhe negative. Te financimet e mira është që ka pasur angazhim që kjo pjesë të jetë strikt sipas legjislacionit. Te raportimi gjithmonë ka pasur çalim. Pjesa më kryesore që duhet të fokusohemi është financimi i jashtëm. Më vjen keq që partia e 51-përqindëshit nuk është këtu, me një fjalë, mendoj që partitë politike e kanë edhe interes transparencën. Mekanizmat ligjorë në Kosovë kanë shkuar duke u fuqizuar në këtë pjesë”, ka thënë Zemaj.
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, bëri të ditur se para se të kërkohet amendamentimi i Ligjit të ri për financimin e partive politike, duhet të priten rezultatet nga zbatimi i tij.
“Në bazë të asaj që pashë edhe në raport, një vlerësim që i është bërë AAK-së për raportimin financiar del se ne i kemi rregulluar dhe kemi marrë vlerësim ndërkombëtar shumë të mirë në raportimin dhe në transparencën e financave. Ndoshta kjo është më e lehtë për ne se jemi parti më e vogël. Edhe burimet financiare që i marrim prej KQZ-së dhe aktivitetet e tjera janë më të dobëta. Nuk jam për të filluar diskutimin e amendamentit të këtij ligji. Mendoj që duhet që t’i japim kohë këtij ligji. Nuk mundemi menjëherë të kërkojmë ndryshime, pa e lënë pak një kohë, me pa implementimin dhe indikimin e këtij ligji”, ka thënë Tahiri.
Eugen Cakolli, menaxher i projektit, ka thënë se megjithëse Ligji i ri mbi financimin e subjekteve publike është në fuqi prej një viti, ato i bëjnë raportimet në shabllon.
“Sa i përket raportimit dhe kontrollit financiar, partitë politike bëjnë raportime shabllon. Sa i përket vetëfinancimit të kandidatëve, në bazë të hulumtimeve del që çdo i dyti kandidat ka deklaruar që ka shpenzuar nga të hyrat e veta apo është financuar nga biznese të ndryshme dhe partitë nuk kanë pasur qasje në to” , ka thënë ai.
KOHA ka raportuar disa herë se si shkelje të shumta të konstatuara ndër vite në pasqyrat financiare të partive politike mbesin të paadresuara. Gjatë viteve të kaluara subjektet i kanë mbajtur të fshehura shpenzimet dhe burimet e tyre të financimit. Sipas raporteve të auditorit, asnjëra parti nuk ka arritur t’i mbështesë me dokumente pasqyrat financiare ashtu siç e kërkon ligji.
Subjekti që udhëheq qeverinë, LVV-ja, nuk ka ofruar dokumentet mbështetëse për mbi 60 mijë eurot e shpenzuara në karburante gjatë vitit 2019 e 2020. PDK-ja e AAK-ja kanë realizuar blerje duke anashkaluar procedurat e tenderimit. Kurse LDK-ja shfrytëzon objektin për zyrë pa dokumente të pronësisë dhe pa marrëveshje të qirasë. Po LDK-ja, në kundërshtim me ligjin ka hapur më shumë se një llogari bankare. E Lista Serbe ka shpërndarë mijëra euro për OJQ joaktive.