Më pak se një e treta e premtimeve për mjedisin janë përmbushur në 11 komuna deri në dhjetor të vitit 2024, sipas raportit “Fletënotimi Mjedisor i Kosovës” i lansuar të enjten nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Ky raport, sipas KDI-së, ka analizuar programet zgjedhore të 11 komunave dhe i ka klasifikuar premtimet e gjelbra. Sipas raportit, në këto 11 komuna deri në dhjetor të 2024-s janë përmbushur vetëm 27.27 për qind e premtimeve. KDI-ja ka thënë se kjo përqindje reflekton mungesën e llogaridhënies dhe qasjen anemike ndaj qeverisjes së gjelbër.
Në raport janë përfshirë Prishtina, Mitrovica e Jugut, Ferizaj, Peja, Rahoveci, Gjakova, Lipjani, Skenderaj, Podujeva, Kamenica dhe Kaçaniku.
Sipas raportit, nga totali i premtimeve në këto komuna (1816), vetëm 154 apo 8.48 kanë qenë për mjedisin.
Për kryeqytetin, KDI-ja ka thënë se janë 8 premtime të përmbushura, 10 gjysmë të përmbushura, 19 të nisura e 6 të pafilluara ende.
Në Mitrovicë të Jugut kanë filluar 6 premtime, 2 prej tyre janë gjysmë të përmbushura e një është përmbushur. Një premtim ende nuk ka filluar të realizohet.
Ferizaj ka përmbushur 8 premtime ndërsa një është në gjysmë.
Në Pejë janë përmbushur dy premtime nga 10 (4 janë përmbushur në gjysmë, një ka filluar e tri jo).
Në Rahovec janë përmbushur 10 premtime, 9 janë në gjysmë e tri kanë filluar.
Në Gjakovë tri premtime janë përmbushur, katër janë në gjysmë një ka filluar e një jo.
Lipjani ka përmbushur katër premtime elektorale, katër janë gjysmë të përmbushura e një ende s’ka filluar.
Pesë premtime janë përmbushur në Skenderaj, dy janë gjysmë të përmbushura e një s’ka filluar ende.
Dy premtime janë përmbushur në Podujevë, dy janë në gjysmë të përmbushjes, një ka nisur e tri ende jo.
Kamenica ka përmbushur një premtim, katër janë në gjysmë, ndërsa nga një është nisur e një nuk ka nisur ende.
Kaçaniku ka përmbushur pesë premtime, gjashtë janë në gjysmë, katër kanë nisur e 13 ende jo.
Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se Kosova përballet me sfida të mëdha mjedisore që ndikojnë direkt në cilësinë e jetës së qytetarëve.
“Ndotja e ajrit mbetet një nga problemet më serioze, ku vendi vazhdon të përballet me nivele alarmante të ndotjes, të shkaktuara kryesisht nga termocentralet me qymyr dhe ngrohja me dru”, ka thënë Kryeziu.
E Ardian Muçaj, gjatë prezantimit të gjetjeve kryesore, ka thënë se projektet e gjelbra nuk u etabluan si projekte të analizuara mirë. Sipas tij, shumica e premtimeve të gjelbra më shumë ishin konceptuar si ide dhe si formulime të thjeshta deklarative.
Në ngjarje u organizua një panel diskutimi me fokus te tema për rrugën nga krijimi deri te shpalosja e ofertave programore dhe zbatimi i tyre si dhe impiantet për trajtimin e ujërave të zeza. Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi ka thënë se raporti është mundësi e mirë për të reflektuar. Ndërkohë, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, u shpreh se ka pasur projekte që janë realizuar e që s’kanë qenë pjesë e programit zgjedhor. Ai ka thënë se nuk është tërësisht i kënaqur me punët, sepse sipas tij, ka nevojë më të mëdha për investime në këtë segment. Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka shprehur pakënaqësi sa i përket dinamikës së zhvillimit të gjithmbarshëm dhe me theks të veçantë në politikat ambientaliste. “Për projekte konkrete është duke shkuar shumë ngadalë. Nuk është shpejtësia e zhvillimit të Kosovës që e kemi pritur”, ka potencuar Gjini. E kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi ka vënë theksin te mungesa e mbështetjes financiare nga niveli qendror. “Deri më 28 dhjetor 2024, nuk ka pasur asnjë projekt të vetëm nga Qeveria. Më 28 dhjetor kemi vendosur katër lopata beton për nisjen e një çerdheje”, ka thënë Ilazi.
Raporti po ashtu u rekomandon kryetarëve të sigurojnë resurse njerëzore e financiare për t’i zbatuar projektet; që projektet të bazohen në plane zhvillimore komunale, projeksione buxhetore e legjislacion; të krijojnë mekanizma të raportimit periodik; të planifikojnë buxhet për mirëmbajtje afatgjate; të kenë bashkëpunim rajonal; të shkëmbejnë praktika të mira e të tjera. Qeverisë i rekomandohet të krijojë mekanizëm për zbatim të agjendës së gjelbër; ta kthejë taksën mjedisore në investime mjedisore dhe të nxisë trajtimin e mbetjeve të riciklueshme e të promovojë transportin e qëndrueshëm.