Instituti Demokratik i Kosovës ka ngrehur shqetësimin lidhur me qasjen e kryeministrit Albin Kurti për mosdhënie të dëshmisë në ambientet e Prokurorisë Speciale mbi hetimet për rezervat shtetërore.
Sipas KDI-së, ky veprim i Kurtit minon parimin bazë të sundimit të ligjit, duke shtuar se "refuzimi i tij ushqen përshtypjen e gabuar se parimi i barazisë para ligjit nuk vlen për zyrtarët e lartë".
“Insistimi i Kryeministrit për të diktuar kushtet e dhënies së dëshmisë – duke këmbëngulur që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij dhe jo në ambientet e Prokurorisë – krijon një precedent të rrezikshëm dhe bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi. Sundimi i ligjit nënkupton se askush, pavarësisht pozitës apo funksionit, nuk gëzon trajtim të veçantë përballë institucioneve të drejtësisë. Nëse kreu i Qeverisë mund t’i shmanget thirrjeve të Prokurorisë apo të vendosë vetë se ku do të japë dëshmi, atëherë edhe zyrtarëve të tjerë publikë apo qytetarëve të zakonshëm do tu krijohen mjaftueshëm alibi për ta legjitimuar këtë praktikë”, thuhet në reagimin e KDI-së.
Instituti tutje ka thënë se në një demokraci të mirëfilltë, udhëheqësit institucionalë kanë përgjegjësinë të japin shembull më të mirë në respektim të ligjit.
“Roli i Kryeministrit nuk është të vërë në pikëpyetje apo të negociojë zbatimin e procedurave ligjore, por të tregojë se askush – as vetë ai – nuk është mbi ligjin. Duke refuzuar të paraqitet në Prokurori sipas kërkesës zyrtare, Kryeministri bie ndesh me pritshmëritë e qytetarëve për llogaridhënie dhe transparencë. Për më tepër tani që procesi zgjedhor, në aspekt të votimit, veçse ka përfunduar, dhënia e dëshmisë nga ana e Kryeministrit nuk prodhon asnjë efekt elektoral kundrejt tij apo subjektit që ai përfaqëson”, thuhet në reagim.
KDI-ja i ka bërë thirrje Kurtit që të bashkëpunojë me organet e drejtësisë, me ç’rast të paraqitet pa kushte në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e kërkuar.
“Vetëm duke vepruar në këtë mënyrë, ai mund të forcojë besimin e publikut tek institucionet shtetërore dhe të dëshmojë se, në një shtet ligjor të vërtetë, askush nuk është mbi ligjin”, thuhet tutje.