Arbëri

KDI: Ferizaj, Gjakova, Lipjani dhe Prizreni - komunat më transparente​ në vitin 2024

KDI: Ferizaj, Gjakova, Lipjani dhe Prizreni - komunat më transparente​ në vitin 2024

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në bashkëpunim me Transparency International Kosova, të mërkurën ka publikuar raportin vjetor “Transparometri Komunal 2024”, i cili vlerëson nivelin e transparencës në 38 komunat e Kosovës për periudhën janar–dhjetor 2024.​

Në hapje të konferencës, menaxherja e projekteve në KDI, Selvije Kurti, theksoi rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies në nivelin lokal të qeverisjes. Ajo deklaroi se transparenca nuk është çështje vullneti, por detyrim ligjor dhe instrument kyç për ndërtimin e besimit midis qytetarëve dhe institucioneve.​

Gjatë vitit 2024, një zhvillim i rëndësishëm ishte paralajmërimi për lansimin e platformave të reja digjitale komunale, me synimin për të përfunduar këtë proces deri në fund të dhjetorit. Megjithatë, procesi është shoqëruar me mangësi të theksuara, si mungesa e njoftimeve zyrtare, afateve të qarta dhe udhëzimeve për qytetarët lidhur me përdorimin e uebfaqeve të reja.​

Besnik Ramadanaj nga KDI-ja prezantoi metodologjinë e raportit dhe rezultatet kryesore. Sipas tij, vlerësimi mesatar për 38 komunat ishte 68.34 pikë, një ngritje prej rreth 5 për qind krahasuar me vitin 2023. Komunat me performancën më të mirë në transparencë për vitin 2024 janë: Ferizaj, Gjakova, Lipjani dhe Prizreni, pasuar nga Drenasi, Klina, Obiliqi dhe Rahoveci.​

Raporti gjithashtu analizoi performancën në nivel të kuvendeve komunale dhe zyrave të kryetarëve. Zyrat e kryetarëve shënuan rritje të lehtë me 71.56 për qind, ndërsa kuvendet komunale me 71.03 për qind, duke treguar përmirësim krahasuar me vitin 2023.​

Megjithë përmirësimet, raporti identifikoi disa sfida të vazhdueshme, përfshirë mungesën e njoftimeve publike për qytetarët lidhur me lansimin e uebfaqeve të reja, mungesën e informatave publike për adresat e komunave, mungesën e strukturës unike dhe të standardizuar të uebfaqeve, dhe mungesën e qasjes së plotë në dokumente në gjuhët zyrtare.​

Duke qenë se viti 2025 është një vit zgjedhor komunal, KDI-ja inkurajon komunat që të forcojnë transparencën dhe të mos e neglizhojnë atë gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu, kandidatët për kryetarë komunash inkurajohen të hartojnë dhe publikojnë programe që i japin rëndësi transparencës dhe llogaridhënies.​

Raporti i plotë i Transparometrit Komunal 2024 është i disponueshëm në faqen zyrtare të KDI-së.