Vendimi i ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, për mbylljen e kazinove në fillim të vitit 2019 nuk ka vlejtur për Karaçevën, fshat ky i cili gjendet në zonën kufitare me Serbinë.
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shumë biznese të lojërave të fatit u koncentruan në atë pjesë, raporton KOHA.
Por institucioneve të drejtësisë iu deshën pothuajse dy vjet që të intervenojnë në atë fshat.
Ditën e 18 shtatorit, Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit, bashkë me Inspektoratin Policor realizuan aksionin për mbylljen e kazinove, të cilat deri atëherë funksiononin ilegalisht.
Aksioni në Karaçevë të Kamenicës nisi me bastisjen e lokaleve të lojërave të fatit, për të vazhduar me konfiskimin e aparateve e përfunduar me rrënimin e objekteve deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Hetimi njëvjeçar i Policisë e Prokurorisë për bixhoz të paligjshëm, ka përfunduar me arrestimin e dhjetëra personave, por edhe për vepra të tjera më të rënda, përfshirë kontrabandim me njerëz dhe narkotikë.
Një ditë pas aksionit, në një konferencë për media, detajet e aksionit i bëri të ditura Prokuroria Themelore në Gjilan.
Sipas kryeprokurorit Jetish Maloku, të arrestuar nga ky aksion janë 35 persona prej tyre 12 zyrtarë policorë.
Sipas Policisë së Kosovës, operacioni ka qenë i shtrirë edhe në Prishtinë, derisa nga të gjitha lokacionet janë konfiskuar numër i konsiderueshëm i materialeve.
Ndonëse u tha se hetimet për operacionin kanë nisur qysh para një viti, nisja e tij është bërë e ditur pak orë pas përplasjes se ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu me deputetët e Vetëvendosjes pikërisht për veprimtarinë e kazinove në Karaçevë.
Në mars të 2019-s, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan ligjin përmes të cilit ndalohet veprimtaria e lojërave të fatit për 10 vjet.
E për këtë aksion nga Policia e Kosovën kanë thënë se nuk mund të flasin pasi që ende janë duke vazhduar hetimet.