Arbëri

Katërmbëdhjetë ambasadorët e rinj (EMRAT)

 Autoritetet e Kosovës janë përcaktuar për 14 shefa të rinj misionesh diplomatike, pesë nga të cilët synojnë t’i emërojnë nëpërmjet çelësit politik. Një numër nga ta kanë treguar afërsi me subjektet në pushtet. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme nuk i kanë konfirmuar emrat, por burime të KOHËS tregojnë se para formalizimit, Prishtina zyrtare është duke pritur pëlqimin nga shtetet pritëse

Autoritetet kosovare i kanë bërë gati emrat e ambasadorëve për t’i vendosur në 14 misione diplomatike. Pesë nga ta do të emërohen nëpërmjet çelësit politik.

Disa nga të propozuarit e kategorisë së dytë janë të afërt me subjektet në pushtet.

Zëvendësministri i Financave, Ilir Kapiti, është propozuar për ambasador në Britani të Madhe.

Sipas burimeve të KOHËS, Kapiti ka edhe shtetësi britanike dhe për disa vjet ka qenë në asistencë sociale në këtë shtet. Zëvendësministri, por as Ministria e Punëve të Jashtme, prej tri ditësh nuk u janë përgjigjur pyetjeve përkitazi me këto informacione.

Mbështetur në biografinë e publikuar në uebfaqen e Ministrisë së Financave, studimet pasuniversitare Kapiti i ka përfunduar në Londër, ku ka marrë dy grada shkencore, MA në Biznesin Ndërkombëtar nga London Metropolitan University dhe MBA (Master në Administrim Biznesi) me specializim në Financa dhe Menaxhim të Investimeve nga London School of Business and Finance.

Për në Francë është propozuar Mehdi Halimi. Ai ka qenë ligjërues i sintaksës franceze në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Para disa vjetësh ka shkuar në Francë, ku është i licencuar si përkthyes gjyqësor për frëngjisht, shqip e serbisht.

Për në Gjermani, ambasador është propozuar Faruk Ajeti. Ai është bashkëpunëtor shkencor në Institutin Austriak për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Vjenë dhe është autor i disa punimeve që kanë të bëjnë me Kosovën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Dren Doli është propozuar për ambasador në Holandë. Ai është profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe për vite rresht ka qenë aktivist i shoqërisë civile, të cilin aktivitet e ka zhvilluar në kuadër të Grupit për Studime Juridike dhe Politike.

Martin Berishaj është propozuar ambasador në Kroaci. Ai është profesor në Lubjanë, ndërsa në prag të zgjedhjeve të fundit ka mbështetur subjektet që tash janë në pushtet – Lëvizjen Vetëvendosje, që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti, dhe Listën Guxo, së cilës i printe presidentja e tashme Vjosa Osmani.

Nëntë ambasadorët e tjerë që janë propozuar për t’i drejtuar misionet e Kosovës janë diplomatë karriere.

Ambasadori Ilir Dugolli është propozuar për t’u vënë në krye të Ambasadës në Shtetet e Bashkuara, ambasadori Skënder Durmishi për në Ambasadën në Shqipëri, ambasadori Sabri Kiçmari për në Ambasadën në Japoni, ambasadori Albert Prenkaj për në Ambasadën në Senegal, ambasadori Fuad Morina në Emiratet e Bashkuara Arabe, ambasadori Valdet Sadiku në Slloveni, Albesjana Iberhysaj Kapitaj në Çeki, Gjeneza Budima në Hungari dhe ambasadorja Arjana Zherka në Mal të Zi.

Në maj, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, vendosi t’i shkarkojë të gjithë ambasadorët e zgjedhur me çelës politikë. Ndonëse koha e fundit kur duhej të ktheheshin në Prishtinë ishte fundi i gushtit, Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca ende nuk i kanë finalizuar të gjitha procedurat për emërimin e shefave të rinj të misioneve diplomatike.