Katër gra shtatzëna kanë vdekur për pak ditë në Kosovë, si pasojë e infektimit me koronavirus, ndërsa dy të tjera janë duke u trajtuar në njësinë intensive.
Mjeku përgjegjës në mjekimin intensiv, Mentor Alimusaj, ka thënë për KOHËN se në dy rastet e fundit është bërë edhe lindja e detyrueshme. Dy lehonat vdiqën në dy ditët e fundit. Të parës i ka mbijetuar foshnja, ndërsa të dytës jo.
Para këtyre dy rasteve, në vend janë regjistruar edhe dy raste të tjera të vdekjeve të grave shtatzëna, duke e çuar në katër numrin e shtatzënave të vdekura nga COVID-19 në valën e variantit “Delta”.
Aktualisht në mjekimin intensiv janë duke u trajtuar edhe dy gra shtatzëna.
Rastet e vdekjeve te grupmoshat e reja janë shtuar ndjeshëm në këtë valë të pandemisë. Vetëm në tri ditët e para të shtatorit, nga 80 vdekjet e regjistruara, nëntë prej tyre ishin nën 40 vjeç.