Arbëri

Katër raste me virusin Ethet e Nilit në Kosovë

Ethet e Nilit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka njoftuar se në Kosovës deri më tani janë konfirmuar katër raste të personave të infektuar me virusin Ethet e Nilit Perëndimor. 

Në një përditësim të bërë të hënën IKSHPK-ja ka njoftuar se rasti i parë i importuar është konfirmuar me datë 07.08.2024 te një banor i komunës së Fushë - Kosovës.

Rasti i dytë thuhet se është autokton dhe është konfirmuar me datë 09.08.2024, te një banor i Bardhit të Madh të komunës së Fushë - Kosovës.

Rasti i tretë po ashtu thuhet se është autokton dhe është konfirmuar me datë 30.08.2024, te një banor i Prizrenit.

Rasti i katërt thuhet se është rast i importuar dhe është konfirmuar me datë 05.09.2024, te një banore e fshatit Rufc i Vjetër i komunës së Lipjanit.

Të gjitha raste janë trajtuar në Klinikën Infektive dhe pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore janë liruar në shtëpi.

Në njoftimin e Institutit thuhet se mbikëqyrja sezonale ndaj virusit të Nilit Perëndimor (WNV – West Nile Virus)  në Evropë kryhet nga muaji qershor deri në muajin nëntor, pra në sezonin e përhapjes së mundshme kur ka prani masive të mushkonjave si vektorë të sëmundjes. 

“Bazuar në raportimin në Sistemin Evropian të Mbikëqyrjes (TESSy) që nga fillimi i vitit 2024 deri me 5 shtator 2024, 15 vende në Evropë raportuan raste humane të infektimit me virusin e Nilit Perëndimor: Shqipëria, Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Spanja dhe Turqia”, thuhet në njoftim. 

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet nga pickimi i mushkonjave te zogjtë. Njerëzit dhe gjitarët gjithashtu mund të infektohen, megjithëse rreth 80% e infeksioneve në njerëz nuk japin simptoma. Shumica e rasteve humane paraqiten midis korrikut dhe shtatorit kur mushkonjat janë aktive.

“Rreth 20% e infeksioneve WNV te njerëzit mund të shkaktojnë ethet e Nilit Perëndimor, e karakterizuar me: dhimbje koke, ethe, mialgjia, të vjella, skuqje, lodhje, dhimbje e syve. Më pak se një për qind mund të shkaktojë sëmundje neuroinvazive të Nilit Perëndimor që prek sistemin nervor”, thuhet në njoftim.