Koordinatori i Drejtorisë për Mirëqenie sociale në Komunën e Prishtinës, Premtim Fazliu, ka njoftuar se deri më tani janë funksionalizuar katër qendra për qëndrim ditor për të moshuarit, duke theksuar se deri vonë nuk ka pasur programe të veçanta për angazhim social e kulturor.
Fazliu ka thënë në SOT të KTV-së se hapja e këtyre qendrave ka vënë në pah rëndësinë që një projekt i tillë ka, duke thënë se është parë një frekuentim shumë i madh.
“Dy javë më herët kemi bërë hapjen e qendrës së katërt, e quajtur Qendra Kulturore dhe Sociale për të moshuarit në Ulpianë. Gjendja e shkaktuar nga pandemia, Komuna e Prishtinës masat që i kishte marrë, kishte mbyllur qendrat socialo-kulturore për të moshuarit. Patëm vendosur ta pezullojmë, ndërsa tani kemi vendosur ta rihapim”, tha ai.
Ai theksoi se shërbimet në këto qendra janë pa pagesë, të cilat i mbulon Drejtoria e Mirëqenies Sociale e Prishtinës.
“Të gjitha shërbimet janë pa pagesë, po tentojmë ta fusin edhe shujtën e mëngjesit, megjithëse është edhe shujta e mëngjesit, jo vetëm për të moshuarit, por të gjithë që kanë nevojë. Koleget tona zhvillojnë biseda me të moshuarit, që t’i dinë kërkesat dhe hallet e të moshuarve atje. Kanë kërkuar që t’u zgjatet orari i punës, jemi duke e shqyrtuar. Kanë kërkuar që të bëjnë shëtitje qoftë brenda qoftë jashtë Kosovës. Ne i kemi mbështetur në forma financiare”, shtoi ai.
Koordinatori i Mirëqenies Sociale ka potencuar se kanë një pilot-projekt që nxënësit e ciklit të ulët t’i dërgojnë për vizitë në qendrat e të moshuarve.
“Kam takuar qindra pensionistë që kanë prapavijë akademike, ata e llogarisin veten më të dobishëm kur iu ofrohet një detyrë, të cilën e plotësojnë me përkushtim. Vitin e ardhshëm pritet të hapet qendra e pestë”, tha ai.