Drenor Osmanaj mbajti flamurin në dasmën e vet. Edona Krasniqit i shkoi në shtëpi që ta merrte për nuse. Krushqit e vetëm: Ai dhe prindërit. Makina e vetme e tre dasmorëve: Edhe “kerr i flamurit”, edhe “kerr i nuses”. Flamuri: Kuqezi.
“Rrugës për te shtëpia e nuses, flamurin e mbajti Drenori. Kah u kthyem ia mora flamurin unë se ai ishte me nusen mbrapa”, tregon me qeshje babai Ilir Osmanaj, gazetari i “Kohës Ditore”, i cili mbulon rajonet e Pejës e të Gjakovës. Urimet ndërmjet miqve e familjarëve u bënë pa shtrëngim duarsh si masë mbrojtëse nga virusi që ende nuk i është gjetur ilaçi.
Ndryshimi i planeve: Nga Greqia e Kroacia në Rugovë
Ama qe një vit krejt ndryshe ishte planifikuar dasma me dhjetëra makina varg e aheng të madh. Madje ishte rezervuar restoranti e këngës do t’ia thoshte cimeri i studimeve të Ilir Osmanajt, kumanovasi Ismet Behxheti. 12 prilli ishte zgjedhur kastile për ditë dasme, meqë shumica e familjarëve të afërt të nuses e të dhëndrit jetojnë në shtetet evropiane. Data u kushtëzua si mundësi, pasi për shkak të Pashkëve katolike të gjithë mërgimtarët do mund të merrnin udhë drejt Pejës për të kënduar e vallëzuar.
“E pata mendu si një gazmend të madh për tri dasma”, thotë Ilir Osmanaj nga Peja.
Familjarët në Kosovë nuk kishin viza kur djali i madh i Ilirit u martua në Gjermani e vajza në Austri. Kësaj here, gurbetçarët nuk erdhën për shkak të mbylljes së kufijve dhe rrezikut të virusit korona.
Pandemia botërore i shtrëngoi të porsamartuarit të ndërronin edhe destinacionin e muajit të mjaltit, tregon Edona Krasniqi.
“Planifikimet e pushimit i kishim menduar në njërin nga shtetet, Kroaci apo Greqi, duke pretenduar të vizitonim bregdete më pak të fekuentuara nga çiftet kosovare të sapomartuara”, tregon ajo nëpërmjet lidhjes virtuale në Facebook, teksa ndodhet në Rugovë.
Dy ditë pas dasmës kanë marrë udhë përpjetë ligjeve e shpateve të bukura me majat e maleve të veshura të zbukuruara me kurora të bardha nga dëbora e pranverës. Po kënaqen me peizazhet mbresëlënëse. Andej i ka rrënjët dhëndri pejan.
“Tashmë kemi harruar pushimin e mjaltit në një heshtje të paparamenduar si në ikje. Erdhëm në Rugovë, duke shijuar natyrën dhe pamjen e bukur që na bëri të harrojmë pandeminë, por edhe planin e pushimit paraprak”, shton Krasniqi.
Tri stinë për një ditë
Drenor Osmanaj thotë se gjatë ditës së parë të muajit të mjaltit në Bjeshkët e Rugovës, çifti përjetoi tri stinë përnjëherë. Dita zbardhi me rreze të ngrohta pranverore, mesdita u karakterizua me “shiun e vjeshtës dhe fare në mbrëmje përjetuam borën e dimrit”.
“Rugova është gjithmonë e bukur në secilën pamje dhe na dha një energji pozitive”, thekson Drenor Osmanaj, duke ngulmuar se nuk janë aspak pishman që pushimi iu imponua në Rugovë, vendlindje e të parëve të tij. “E gjithashtu Edonës i pëlqejnë natyra dhe qetësia që kemi këtu”.
Ai tregon pastaj planet e familjes për ceremoninë, prej së cilës u shtrënguan të hiqnin dorë. Pushimet e shkurtra pranverore ishin periudhë e përshtatshme për t’i mbledhur në festë familjarët nga diaspora. Ilir Osmanajt, pos djalit të madh, në Gjermani i jetojnë edhe dy vëllezërit, dy xhaxhallarët dhe halla, kurse motra në Zvicër. Edhe xhaxhallarët e Edonës dhe disa familjarë të tjerë të ngushtë të saj jetojnë jashtë vendit.
“Kështu që dita e dasmës është dashtë të caktohej ashtu që të mund të jenë të pranishëm të gjithë”, tregon ai. “E kemi menduar gjatë, pastaj u përcaktuam për datën 12 prill, dita e Pashkëve, pasi që në vendet perëndimore për këtë festë kanë pushim disa ditë, kështu që do të krijohej mundësia që të vinin të gjithë, për dallim të ndonjë date tjetër, për të cilën kishte qenë vështirë që të gjithë ata të koordinoheshin për të marrë pushimet në të njëjtën kohë”, shton ai.
“Gazmendin na e hodhi në ujë virusi korona”
“Aranzhimi i restorantit u bë shumë më herët, duke pretenduar të festonim. Por festa dhe dëshira u ndalën në mes të muajit mars, kur edhe filloi kriza e pandemisë”, tregon Drenori.
“Por këtë gazmend na e hodhi në ujë virusi korona”, thotë Ilir Osmanaj, që do të detyrohej të anulonte rezervimin e sallës. Shpreson se do t’i kthehen paratë e “koparit”.
Baba Ilir do t’iu propozonte Drenorit e Edonës që të shtynin ditën e martesës, me shpresën se do të gjendet së shpejti vaksina kundër virusit me kurorë, sepse, sikur thotë ai, të marrësh nuse pa krushq, “ishte sikur të bësh darkë të postërmës, pa mish”.
“Ishte vërtet shumë e çuditshme ... ndjenja të përziera, nuk dije të gëzoheshe, apo të nervozoheshe pse dështoi dasma shkaku i rrethanave të jashtëzakonshme botërore”, thekson ai.
Megjithatë, në fotografitë e shumta, kolegu gazetar shihet fytyrëqeshur derisa shoqëron çiftin nga “kerri i nuses dhe i flamurit”. Një njërën mban flamurin e në një tjetër shkrep fotografi, duke “ngrirë” një prej momenteve më të pazakonshme të jetës, kur përzihen gëzimi e mërzia. Megjithatë, burri me rrënjë Rugove nuk jepet para djalit e nuses.
“Por, edhe pse pa krushq dhe në këto rrethana jonormale, u munduam sado pak t’i përmbahemi traditës, ndonëse ishim vetëm një makinë që shkuam ta marrim nusen. Unë, gruaja, djali (dhëndri) dhe shqiponja dykrerëshe që valëvitej mbi makinë”, përshkruan ai.
“Përhajri” me cakërrim gotash me raki
Në dasmën e Osmanajve nuk pati vend për flamurin e Republikës së Kosovës. Osmanaj shpjegon arsyen. “Në asnjë çast nuk ka qenë në mendje mundësia që në vend të flamurit kombëtar, ta vendosja flamurin e shtetit të Kosovës për arsye se, pa dashtë të zhvlerësoj në ndonjë formë flamurin tonë shtetëror, me flamurin kombëtar, ne si komb identifikohemi me shekuj dhe atë nuk mund ta zëvendësoj në traditat dhe gazmendet tona asnjë flamur tjetër”, thekson Ilir Osmanaj.
Te shtëpia e nuses, tre krushqit u pritën nga familjarët e vëllait dhe të xhaxhait, të cilët i përshëndetën me dorë në zemër. Urimet e përzemërta u këmbyen – pa shtrëngim duarsh – me cakërrimin e gotave me raki.
Megjithatë, Peja e mori vesh se të dielën në mesditë, në kohë pandemie, u lidh një miqësi e re prej kurorëzimit të dashurisë së Drenorit e Edonës. Baba Iliri e mbajti pandalshëm shtypur sirenën si kumt i një gëzimi, derisa makina po përshkonte rrugët e qytetit poshtë Bjeshkëve të Nemuna.
“Nusen me vello dhe shami të kuqe mbi kokë e futëm në makinë, e bëmë një xhiro nëpër qytet, duke i mëshuar borisë krejt kohën dhe makinat e tjera në kalim na e kthenin njëjtë derisa shkuam në shtëpi”, tregon ai.
Në fotografi të tjera shihen të afërmit matanë rrethojës, të kthyer në një perde të hekurt ndërmjet fqinjëve sherri i “armikut të padukshëm”.
“E kur shkuam në oborr, të afërmit që i kam fqinj, në oborret e tyre na e bënin për hair, pasi shkaku i situatës mbanim distancë. Kur hymë në shtëpi, as muzika që kishim lëshuar nuk e ndizte atmosferën e çuditshme”.
Rrokën celularët duke u lidhur me familjarët në diasporë. Pas pak, çifti me veshjet solemne mori udhë drejt burimit të Drinit të Bardhë për të shkrepur disa fotografi.
Dasmë pa krushq
Edona Krasniqi thotë se virusi i padukshëm ua pamundësoi të përjetonin gëzimin e planifikuar.
“Besoj që nuk kemi ndikuar për të keq pasi që dy familjet tona jetojnë brenda qytetit të Pejës dhe kemi pasur kujdes të shtuar gjithmonë rreth mbrojtjes nga COVID-19”, thekson ajo. “Përjashtim bëri periudha e ceremonisë që nuk shfaqëm dorëza apo maska në kujtimin tonë, edhe pse përbrenda ishte i pranishëm mendimi se mund të rrezikojmë shëndetin tonë”.
“Dasma pa krushq, apo pa familjarë nuk përshkruhet me fjalë sa ndikoi emocionalisht tek ne, por pasi që në kohë pandemie u martuam, besoj që do të jemi shembull pozitiv që duhet ta duam njëri-tjetrin”, thekson ajo, duke shtuar se megjithatë kurorëzimi i lidhjes së tyre lumturoi familjet e miqësuara.
“Kaq ishte kjo ‘dasmë’ pa krushq, që unë e kisha menduar ta bëja krejt ndryshe”, thotë Ilir Osmanaj, i cili kishte edhe arsye të tjera pse pikërisht dasmën e sugarit e planifikoi si dasmën më të madhe të Osmanajve. “Jo vetëm të festoja martesën e djalit të vogël, por edhe martesën e djalit të madh dhe të vajzës, ngase të dytë janë martuar pa dasmë. Vetëm në celular i kam parë banketet e martesave të tyre, pa mundësi të shkoja shkaku i vizave”.
Zotimi i babait për “dasmën e dytë”
Pa dasmë ishte martuar edhe vetë, sikurse edhe dy vëllezërit dhe motra e madhe. Më 1996, Ilirit i vdiq babai 54 vjeç, më 2008 motra 46 dhe më 2016 nëna 72. Në Kosovën nën pushtimin serb, pa dasma i ishin martuar xhaxhallarët në diasporë.
“Pra, kisha mjaft arsye me ‘kallë’ në dasmën e djalit të vogël, por ja që dështoi shkaku i pandemisë”.
Para anulimit të dasmës së Drenorit, të vështirë e ka pasur ta telefononte këngëtarin Ismet Behxheti, me të cilin kishte ndarë të njëjtën dhomë gjumi në Qendrën Studentore, tashmë të shndërruar në karantinë për qytetarët e kthyer nga diaspora.
“Ismeti atë kohë ende nuk ka qenë këngëtar dhe na ‘shurdhonte’ duke kënduar tërë ditën në dhomë apo hipur në dritare”, tregon me humor korrespodenti i KOHËS nga qytetet e Rrafshit të Dukagjinit. “Më keqja ishte se mua më duhej t’i mëshoja tavolinës për t’i krijuar ritëm, për çka kishte hyrë ‘borxh’ që një ditë, kur të bëhet këngëtar, ka me këndu në ndonjë dasmë timen”.
Ilir Osmanaj, megjithatë, e paralajmëron ish-cimerin këngëtar.
“Por me siguri se miku im nuk do të shpëtojë aq lehtë nga e gjithë kjo, sepse, edhe pse e kam martuar djalin pa dasmë, ahengun do ta mbaj pasi të kalojë kjo situatë dhe ai do të ‘vizatohet’ aty”, meqë sivjet ose mot - sikurse ngulmon Osmanaj - “ky aheng do të mbahet gjithsesi”.