Stafi shëndetësor që ballafaqohet drejtpërdrejt me Covid - 19, që nga muaji shtator do t'i marrë shtesat për rrezikshmëri nëpërmes kategorizimit të përcaktuar nga qeveria.
Pas një takimi të kryeministrit Avdullah Hoti, Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj si dhe përfaqësuesve të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës (FSSHK) u mor vendim se që nga shtatori, mjekët do të marrin 250 euro në muaj, stafi i infermierëve 150, kurse personeli mbështetës 100.
Kjo pagesë thuhet se do të bëhet deri në fund të pandemisë.
“Duke marrë në konsideratë mundësitë financiare që Qeveria e Republikës së Kosovës ka në këtë periudhë, për të mbështetur të punësuarit në sistemin publik shëndetësor, palët u morën vesh që pagesat shtesë për muajt shtator-dhjetor të jenë si në vijim: Mjekët – 250 euro në muaj, Infermierët – 150 euro në muaj, Stafi mbështetës – 100 euro në muaj. Kryeministri Hoti është zotuar se Qeveria në afat shumë të shkurtër kohor do të kryejë edhe pagesat shtesë për stafin mbështetës për muajt korrik dhe gusht të këtij viti. Palët po ashtu janë dakorduar që në fillim të viti të ardhshëm të diskutohen mundësitë për pagesat shtesë për kohën sa do të zgjasë pandemia me Covid 19 në territorin e Kosovës”, thuhet në vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Por, MSh-ja në një përgjigje për KOHËN të martën mohoi se ky kategorizim do të ndodhë, duke theksuar se pagesa prej 300 eurove do të bëhet deri në fund të pandemisë.
“Te gjitha kategoritë e profesionistëve shëndetësorë që janë pjesë e vendimit të Qeverisë së Republikës se Kosovës për shtesat prej 300 eurove (mjekët, infermierët dhe teknikët mjekësorë) janë paguar, ndërsa nëse ka pasur në ndonjë komune ndonjë vonesë për arsye te ndryshme, edhe atyre do t'u paguhet”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Ndërkohë të padrejtë e diskriminues e quan këtë vendim Kryetari i Federatës së Infermierëve, Fitim Havolli.
Ndërkohë, KOHA në vazhdimësi kishe raportuar për ankesat që stafi mbështetës kishte për mospërfshirjen në shtesat e ndara nga Qeveria, e madje pati edhe disa protesta nga kjo kategori.