Bekim Haxhiu është njëri prej deputetëve që, pos pagës në Kuvendin e Kosovës, gëzon edhe benificion invalidor, si i plagosur në luftën e UÇK-së.
Bazuar në formularin e fundit të deklarimit të pasurisë, ai përfiton 3 mijë e 825 euro në vit nga ky beneficion, me një shkallë invaliditeti prej mbi 30%.
Por, ai thotë se këtë shumë të parave e ndan në bursa për studentë, raporton KTV.
Haxhiu shpreh pakënaqësitë që kategoritë e luftës nuk janë përfshirë në rritjet e pensioneve që janë bërë nga Qeveria.
Deputeti Haxhiu, që është edhe ligjërues në UP, rikujton se rishikimi i lartësisë së pensioneve, parashihet me Ligjin për Kategoritë e Dala nga Lufta.
KTV-ja ka pyetur në Ministrinë e Financave lidhur me nenin 24 të këtij ligji, që parasheh se kjo e fundit mund t’i propozojë qeverisë ndryshime në lartësinë e pensioneve, por në një përgjigje me shkrim, kanë sugjeruar që pyetjet e njëjta t’i dërgohen Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
E, ministri që udhëheq këtë dikaster, Skënder Reçica, ka theksuar në një nga raportimet e tij para komisioneve parlamentare se brenda mundësive buxhetore, do të mund të ketë ndryshime edhe në beneficionet për kategoritë e luftës.
Qeveria e Kosovës, më 19 shkurt, mori vendim për rritjen prej 20% të pensioneve bazike, 15% kontribut-paguesve dhe 20% për pensionet e parakohshme për ish-punëtorët e kombinatit Trepça.
Derisa, të paktën në tri vitet e fundit, kategoritë e dala nga lufta, në veçanti invalidët e luftës, u janë drejtuar me kërkesa qeverive Mustafa e Haradinaj, për rritjen e beneficioneve të tyre.