Arbëri

Katarina Millosheviq abuzohet nga ish-bashkëshorti, institucionet e Kosovës nuk e ndihmojnë

E kërcënuar me armë e thikë. E keqtrajtuar dhe e ndjekur tash e disa vjet, Katarina Miosheviqi nga pjesa veriore e Mitrovicës, është duke kërkuar ndihmë për të shpëtuar nga ish-bashkëshorti i saj.

“Jam martuar me Darko Milentijeviqin në vitin 2007, duke e ditur që kohë pas kohe konsumonte alkool. Derisa jemi martuar, e më pas e ndryshoi sjelljen. Ikte nga shtëpia nga mëngjesi deri në mbrëmje vonë, kur kthehej ishte i dehur, më keqtrajtonte fizikisht e psikikisht, kisha situata të ndryshme kur më kërcënonte me revole, me thikë. Të gjitha i durova që mos t’i turpëroja prindërit duke pritur që do të ndryshojë, do të qetësohet, por ishte e kotë. Kjo zgjati 4 vjet dhe daljet e tij nga shtëpia nganjëherë ishin edhe me nga disa ditë. Unë këtë e shfrytëzova dhe më 29 janar të vitit 2012 unë kam ikur nga ai”, Katarina Milosheviq, viktimë e dhunës në familje, raporton KTV.

Nënë e një fëmije 6- vjeçar, që nga shkurorëzimi për tre vjet radhazi së paku 6 herë e denoncoi ish-bashkëshortin në Stacionin Policor në Zveçan. Më në fund, nën akuza për dhunë fizike dhe kërcënime për vrasje Darko Milentijeviqi u dënua me 90 ditë burgim. Por, as burgu nuk e mbushi mend.

“Në vitin 2018, filloi të më ndiqte prapë, të më dërgonte porosi, të më shqetësonte e ofendonte. Më 30 maj 2018, kishim prapë një gjykim në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe aty u vendos të mos më afrohej e shqetësojë, por po atë ditë e shkeli vendimin dhe më solli porosi ofenduese. Unë prapë e paraqita se s’dija çfarë do të ndodhte. Më duhej të dilja në dyqan, të shkoja në punë, të dërgoja fëmijën në çerdhe. Nuk u ndal me mesazhe. Janë mesazhe me karakter ofendues”, ka thënë më tej ajo.

Milosheviqi ankohet se Gjykata Themelore në Mitrovicë ishte tejet e njëanshme në rastin e saj. Derisa bashkëshorti e ofendonte në gjykatë, gjykatësi qeshte ndaj ofendimeve që Milentijeviqi i bënte.

“Natyrisht, jam ankuar në Gjykatën e Apelit në Prishtinë që në gjykimin e radhës të mos jetë i pranishëm ky gjykatës. Ashtu ndodhi. –Cili ishte gjykatësi? –Faton Ademi”, ka thënë Milosheviqi.

Përpos pakënaqësisë me gjykatë, Milosheviqi thotë se edhe Qendra për Punë Sociale në Zveçan është treguar e pakujdesshme ndaj rrezikut, me të cilin ajo jeton.

Punëtorja sociale, Biljana Nikoliq, kishte lëshuar një raport dedikuar Prokurorisë në Mitrovicë ku thuhej se Milentijeviqi është person i rrezikshëm dhe duhet nënshtruar trajtimit për kurim nga alkoolizmi.

Por, bashkëshorti i saj e kishte refuzuar trajtimin.

Ajo kërkoi që Gjykata ta zgjasë urdhrin që ndalonte ish-burrin që të afrohet asaj, por punëtorja sociale ishte e mendimet se kjo nuk është e nevojshme, së paku derisa të mos ndodhë diçka.

Në një përgjigje me telefon, Nikoliqi ka thënë për KTV se nuk është shumë e shqetësuar nga ankesat e Milosheviqit meqë ajo ka bërë gjithçka që ta mbrojë fëmijën.

“Ajo mund të ankohet, mund edhe të kërkojë zëvendësimin që dikush tjetër të ishte udhëheqës i rastit. Mendoj se nuk kishte arsye të ankohet po, megjithatë, mund t’ia dërgojë drejtoreshës sonë kërkesën dhe nëse dyshon në punën time, le të ndryshohet udhëheqësi i rastit. Por, puna e qendrës sonë ishte të mbrojmë interesin e fëmijës dhe mendoj se në këtë rast e kam bërë këtë”, ka thënë Biljana Nikoliq - Qendra për Punë Sociale, Zveçan.

Për më tepër, Milosheviq kishte paraqitur edhe dhunën psikike që ish-bashkëshorti i saj ushtron ndaj fëmijës së tyre 6- vjeçar, gjë që u injorua.

KTV-ja ka provuar të flasë edhe me zyrtarë të Policisë në veri të Kosovës, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

“Sa herë që e merrte në fundjavë fëmijën, e mund ta shihte 7 orë në ditë, ai e dërgonte në lokale e dyqane ku konsumohej alkool. Për më tepër, kam dëshmi që fëmija konsumoi alkool, si në këtë fotografi ku mban shishen me birrë”, deklaron Milosheviq.

Katarina shton se askujt në Prishtinë nuk i është drejtuar për ndihmë ngase nuk e di se si do të silleshin ndaj saj, meqë është serbe dhe nuk flet shqip.

E lindur dhe e rritur në veri të Mitrovicës, mësimdhënëse e lëndës së Edukimit dhe kujdesit ndaj fëmijëve në Shkollën e Mjekësisë, 34 vjeçarja pohon se nëse dikush nuk i ndihmon, ajo duhet të largohet nga Kosova.