Konfront

Kasami akuzon Ali Ahmetin për politikë anti-Kosovë

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, njëherësh kryetar i Tetovës, e ka akuzuar kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti për politikë anti-Kosovë. 

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Bilalli ka thënë se politika e Ahmetit është pro-ruse, pavarësisht se ai në publik e thotë të kundërtën. 

Sipas tij, kjo vërehet me praninë e kompanive ruse në Maqedoni të Veriut.

“Kompanitë ruse në Maqedoni nuk i ka ofruar opozita. Lavrovin në Shkup nuk e ka futur opozita, por Bujar Osmani. 9-pikëshin për Kosovën nuk e ka propozuar opozita, por Bujar Osmani. Po të mos ishin forcat speciale të intervenonin në veri të Kosovës, ne sot veriun do ta kishim të aneksuar ashtu siç propozoi Bujar Osmani. Pra, Bujar Osmani atje deklaron, në realitet, ai dhe BDI-ja po e veprojnë të kundërtën, atë e kanë vetëm një maskë. Sa më shumë që bërtet Ali Ahmeti kundër Rusisë dhe Serbisë, aq më shumë mundohet ta mbulojë një të vërtetë që nuk mund ta mbulojë te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut”, ka thënë ai. 


Sopi: Shqiptarët po investojnë mund e dije për të humbur

Panelisti i emisionit “Konfront” në KTV, Agim Sopi, ka deklaruar se shqiptarët në Maqedoni të Veriut po investojnë për humbur “blloku i orientimit properëndimor”, duke theksuar se lufta në këto zgjedhje do të jetë “e serbëve dhe rusëve për të destabilizuar Maqedoninë”.

Sopi ka thënë se sikur shqiptarët ta përkrahnin Stevo Pendarkovskin për president, ai do të fitonte “53 për qind e do të ishte një siguresë që s’do ta kishte krejt blloku prorus pushtetin”.

“Lufta në këto zgjedhje është luftë orientimi ku Serbia e Rusia po investojnë para, dije e mund për të destabilizuar Maqedoninë e Veriut. Për të sjell me çdo kusht në pushtet absolut bllokun prorus e proserb”, ka shtuar ai.


Spahiu: Kërkesa për president shqiptar në Maqedoni të Veriut, tepër skandaloze

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, e ka quajtur skandaloze kërkesën e partive shqiptare në Maqedoni të Veriut, që të kenë kandidat për president, pasi sipas tij, ata s’mund ta fitojnë këtë.

Sipas Spahiut, partitë maqedonase gjithmonë kanë pasur orientim proserb ose probullgar.

Ai ka shtuar të mërkurën në “Konfront” të KTV-së se “problem është influenca serbe atje”.

“Kërkesa e shqiptarëve në Maqedoni për të pasur president, politikisht më duket skandaloze për shkak se edhe nëse në rastin më të mirë shqiptarët e çojnë në balotazh, për të fituar nuk munden...Kur të merret parasysh konteksti politik, nuk shoh problem që një parti të jetë nacionaliste, por te partitë maqedonase vazhdimisht ose kanë orientim proserb, ose probullgar”, ka shtuar ai.


Kasami arsyeton "përzierjen" e Kurtit në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, njëherësh kryetar i Tetovës, ka arsyetuar “përzierjen” e kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut.

Kasami të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, ka thënë se “përzierja” e tij nuk është e dëmshme. 

“Përzierja nuk është e dëmshme. Kur e kemi parasysh se Serbia e konteston shtetësinë e Kosovës, kur e kemi parasysh që Serbia pretendon për aneksim apo rikthim në Kosovë, është komplet kontekst tjetër. Kur e dimë se Vuçiq është një element i Rusisë në Ballkan, një agjent apo një faktor që më shumë sesa me Evropën dhe SAHBA-në është i lidhur me Rusinë, në gjithë këtë kontekst gjeostrategjik po del që nuk mund ta krahasojmë Prishtinën dhe çdo lloj aktiviteti politik me shqiptarët e Maqedonisë”, ka thënë ai. 

Kasami ka shtuar se Kurti ka kërkuar përkrahje nga të gjitha partitë politike për një kandidat shqiptar dhe fatkeqësisht nuk e ka marrë.

Kurti është përfshirë në fushatën elektorale në Maqedoninë e Veriut, ku do të mbahen zgjedhjet për president dhe ato parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje, të cilën e drejton Kurti, është pjesë e koalicionit VLEN.