Arbëri

Karshi obstruksioneve nga Serbia, kërkohet insistim për marrëveshje finale

Praktikës së bllokimit të marrëveshjeve nga dialogu i Brukselit, kur bëhet fjalë për zbatimin e tyre në terren, kërkohet që t’i jepet fund nëpërmjet ndryshimit të qasjes në dialog. Njohës të zhvillimeve kanë thënë se obstruksionet e Serbisë ndodhin për shkak të insistimit që Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, teksa zgjidhjen e nyjës e shohin në arritjen e një marrëveshjeje finale

Ndryshimi i qasjes në dialog është duke u konsideruar i domosdoshëm, në mënyrë që procesi të jetë produktiv dhe që t’i jepet fund praktikës së deritashme të moszbatimit të marrëveshjeve.

Qasja destruktive është konfirmuar edhe pas Udhërrëfyesit për zbatimin e energjisë.

Krahas marrjes së licencës, operatori që do të bëjë faturimin e energjisë në veri nuk e ka përmbushur asnjërën prej pikave të dakorduara në qershorin e këtij viti.

Demush Shasha, njohës i integrimeve evropiane, ka theksuar se obstruksionet e Serbisë ndërlidhen me insistimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kohët e fundit po shohim një Serbi e cila është destruktive në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Këtë mund ta diktojmë nga diskursi i ashpër i zotit Vuçiq karshi kryeministrit Kurti. Por mund ta diktojmë edhe nga mungesa e vullnetit të Serbisë për ta zbatuar Udhërrëfyesin e fundit për energjinë”, ka thënë Sasha. “Arsyeja se pse kjo ndodh është se Serbia nuk dëshiron ta progresojë asnjë marrëveshje, asnjë aspekt të dialogut pa progres në ngritjen e Asociacionit. Ndërsa në anën tjetër, qartazi për Kosovën dhe për kryeministrin Kurti ngritja e Asociacionit nuk është prioritet. Në këtë sfond, dialogu është futur në bllokadë dhe konsideroj që Kosova duhet të insistojë që të arrijë marrëveshjen përfundimtare, e cila do të gërshetonte në vete çfarëdo kompromisi që ne bëjmë karshi Serbisë, pasi që patjetër marrëveshja përfundimtare do të ketë edhe një kompromis nga ana jonë”.

Shasha ka vlerësuar se qasja e Kosovës duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje përfundimtare, në të cilën “do të gëlltisim çfarëdo kompromisi dhe kjo çështje të mbyllet në veçanti tani kur është hapur një dritare e mundësisë në sfondin e zhvillimeve në Ukrainë dhe vëmendjes së Shteteve të Bashkuara dhe Evropës karshi rajonit tonë”.

“Faji, te pala serbe”

Nga Qeveria e Kosovës fajin për moszbatimin e Udhërrëfyesit për energjinë i është hedhur palës serbe.

“Sa i përket realizimit të Udhërrëfyesit, mund të them se Kosova të gjitha institucionet tona, ne si Qeveri, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, mirëpo edhe KOST-i kanë bërë të gjitha përpjekjet për realizimin e marrëveshjes, ndërsa ngecjet janë kryekëput për shkak të anës tjetër, kompanisë ‘Elektrosever’”, ka thënë të mërkurën ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, teksa ka folur për mundësinë që pengesat të vijnë nga Serbia.

“Sa i përket ndikimit të mundshëm të shtetit të Serbisë, mendojmë që ka shumë mundësi që kjo të jetë duke ndodhur. Këtë e kemi bërë të qartë edhe në takimet që i kemi pasur me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me këtë çështje. Çfarë është me rëndësi të thuhet është se ne kemi bërë të gjitha përpjekjet, në mënyrë që marrëveshja të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe para afatit mandej të paraparë, dhe në mënyrë që qytetarët në veri të vendit në katër komunat veriore të fillojnë të paguajnë faturat e energjisë sa më shpejt që është e mundur”, ka potencuar Rizvanolli.

KOHA ka provuar që të marrë një qëndrim nga kompania serbe, e cila tash figuron në regjistrin e bizneseve kosovare, porse nuk ka marrë përgjigje në pyetjet e adresuara.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, e ka hequr përgjegjësinë nga ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke theksuar se përgjegjësia për zbatimin e marrëveshjeve u takon palëve të përfshira në dialog.

“Në cilësinë e lehtësuesit por edhe të garantuesit të marrëveshjeve të dialogut, Bashkimi Evropian i ndjek nga afër aktivitetet e të dyja palëve sa i përket zbatimit të Udhërrëfyesit të energjisë. BE-ja po e lehtëson dialogun ndërmjet palëve. Nuk është arbitër. Përgjegjësia përfundimtare për zbatimin e suksesshëm të marrëveshjeve për energjinë dhe udhërrëfyesit u takon vetë palëve”, ka thënë Stano për televizionin publik.

Në Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) kanë konfirmuar për mungesën e përparimit në zbatimin e pikave të tjera nga Udhërrëfyesi për energjinë.

“Kompania ‘Elektrosever’ ende nuk ia ka siguruar KOSTT-it të dhënat për konsumatorët e energjisë elektrike në veri të vendit, siç parashihet me Udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve të energjisë në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë për KOHËN zyrtarja për komunikim në KOSTT, Zana Bajrami-Rama.

Pika 2 e Udhërrëfyesit përcakton se brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, “Elektroseveri” do t’ua sigurojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët nëpërmjet BE-së. Kurse pika pasuese (3) specifikon se brenda 10 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, “Elektroseveri” do të nënshkruajë teknikalitetet e nevojshme të marrëveshjes me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun energjetik të Kosovës. Me këtë i referohet Marrëveshjes kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, Marrëveshjes mbi detyrimin e bilancit me KOSTT-in, Marrëveshjes së kyçjes me KEDS-in dhe një marrëveshjeje komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të distribucionit (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të Artikullit 5 të Marrëveshjes së 2013-s.

“Zbatimi i pikës 2 të Udhërrëfyesit nuk është i varur nga pika 3. Ndërsa sa i përket pikës 3, marrëveshjet teknike (Marrëveshja për aderim në rregullat e tregut, si dhe Marrëveshja për palën përgjegjëse për balancë) janë nënshkruar nga KOSTT-i dhe janë dërguar për nënshkrim tek ‘Elektrosever’ në afatin e paraparë sipas Udhërrëfyesit, por marrëveshjet e nënshkruara nga ana e KOSTT-it, në përputhje me format standarde të aprovuara nga ZRRE-ja, ende nuk i kemi pranuar të nënshkruara nga ‘Elektrosever’”, ka theksuar Bajrami-Rama.

Bllokimi i marrëveshjeve të tjera

Krahas energjisë janë edhe një sërë marrëveshjesh të tjera që nuk kanë gjetur zbatuar, që prej vitit 2013, kur ishte nënshkruar “Marrëveshja e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë”.

Disa prej tyre janë bllokuar plotësisht e disa kanë ngecur në faza të ndryshme. Simboli i ndarjes së qytetit të Mitrovicës vazhdon të mbetet i bllokuar për qarkullimin e automjeteve. Kjo, pasi që Serbia ka penguar hapjen e urës mbi Ibër, megjithëse punët janë përfunduar prej vitesh.

Moshapja e urës mbi Ibër është përmendur edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën, me ç’rast janë kërkuar veprime për zhbllokim. Derisa Serbia fajësohet për pengesat në zbatimin e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, Kosova është kritikuar nga BE-ja për mungesën e veprimeve rreth themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nga Qeveria është përjashtuar mundësia e themelimit të këtij mekanizmi, në të cilin insiston edhe Serbia.

Pika më kundërthënëse rreth Asociacionit në Marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013 konsiderohet e pesta, e cila specifikon se ky mekanizëm do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore. Ndërkaq në Marrëveshjen e vitit 2015, e cila ishte shpallur kundërkushtetuese, specifikohet që kjo pikë të diskutohet sërish një vit pasi të hartohet statuti i asociacionit.

Si ngecje tjetër është evidentuar zbatimi i Marrëveshjes për kadastrën dhe njohjen e ndërsjellë të diplomave.

Serbia, po ashtu, ende nuk e ka adresuar çështjen e strukturave doganore administrative serbe të vendosura me denominimine kosovare dhe të ndërpresë lëshimin e dokumentacionit ose vendosjen e vulave, të cilat bien ndesh me marrëveshjen përkatëse.

Nuk është shënuar përparim as në krijimin e gjashtë pikave të kalimit të përbashkët kufitar midis Serbisë dhe Kosovës, siç përcaktohet në Marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit (IBM).

Serbia është pajtuar që të kalojë në objektet e reja të financuara nga BE-ja në vendkalimin e Merdarit, në tetor të 2020-s, por nuk është angazhuar në mënyrë konstruktive për fillimin e krijimit të pikave të kalimit në anën serbe - në Jarinjë, Muçibabë dhe Konçul. Kjo kishte çuar në pezullimin e fondeve të BE -së për këtë projekt.

Dialog mes tensionesh

E zbatimi i reciprocitetit për targa ka rikthyer bllokadat në veriun e Kosovës. Tetorin e vitit të kaluar, për dy javë ishin mbajtur të bllokuara rrugët që çonin drejt pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Pas zgjidhjes së përkohshme, palët dështuan që të gjejnë një zgjidhje të përhershme në Bruksel ani se u mbajtën disa takime. Në mungesë të saj, Qeveria mori vendim për aplikimin e reciprocitetit në letërnjoftime, si dhe obligoi serbët që targat ilegale t’i kthejnë në RKS. Por disa orë para se të niste zbatimi i saj, serbët në fund të korrikut bllokuan sërish rrugët. Pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria e shtyu aplikimin e këtyre vendimeve deri më 1 shtator, duke bërë përjashtim vetëm për pikëkalimet kufitare në veri.

Pasi mori drejtimin e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti iu përgjigj pozitivisht BE-së për t’u ulur në tryezën e negociatave, por atyre nuk iu parapriu një rivlerësim i marrëveshjeve nga dialogu i mëhershëm, megjithëse u ankua se po ia marrin shumicën e kohës. Mes të tjerash, ai përmendi Marrëveshjen për Asociacionin, Marrëveshjen për Fusnotën, marrëveshjet për gjykatat e Universitetin paralel në Veri të Mitrovicës.

As në programin qeverisës nuk përmendet zhbërja e marrëveshjeve, por vetëm thuhet se ato do të trajtohen për të parë shkallën e përmbushjes dhe ndikimin e tyre.

Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deri më tani janë takuar dy herë, derisa një takim tjetër është paralajmëruar që të mbahet më 18 gusht. Kurti ka insistuar në një marrëveshje finale, në qendër të së cilës është njohja reciproke. Në anën tjetër, Serbia ka përjashtuar mundësinë e njohjes së Kosovës, teksa ka insistuar në zbatimin e Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.