Ish-kryedimplomati i Finlandës, Pekka Haavisto dhe ish-ambasadori i BE-së në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, danezi Peter Sorensen, janë emrat më të përfolur për rolin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi që e mban sllovaku Miroslav Lajçak. Të dy këta diplomatë kanë mbajtur pozita të larta diplomatike dhe kanë përvojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor
Dy diplomatë me përvojë të gjatë e edhe me përvojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë përfolur si kandidatë për rolin që kryen diplomati sllovak Miroslav Lajçak.
Të premten ka skaduar afati për paraqitjen e kandidatëve nga të cilët përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, do të zgjedhë se kë do ta emërojë si përfaqësues të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.
Ndër emrat që më së shumti vazhdojnë të përmenden janë ish-ministri i Finlandës, Pekka Haavisto, dhe diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen.
Haavisto ka udhëhequr me Ministrinë e Punëve të Jashtme së fundi, pra gjatë agresionit të Rusisë në Ukrainë.
Ai u përfshi në negociatat që rezultuan në anëtarësimin e Finlandës në NATO.
Siç ka raportuar në tetor të vitit të kaluar gazeta e shtetit nordik “Ilta-Sanomat”, Finlanda e ka propozuar atë për këtë post, ndërsa presidenti Alexander Stubb ka deklaruar se Haavisto do të ishte kandidat i shkëlqyeshëm për ndërmjetës.
Pekka Haavisto ka qenë disa herë në Kosovë ku ka takuar liderët shtetërorë.
Më 2019, në kohën kur Ramush Haradinaj ishte kryeministër në detyrë, ai ia pati kërkuar Kosovës heqjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, ndërsa Serbisë ndaljen e lobimit ndërkombëtar kundër Kosovës.
Për zgjidhjen e problemeve me dialog ai pati kërkuar edhe pas protestave të majit 2023 kur serbet kundërshtonin hyrjen e kryetarëve shqiptarë në zyrat kryesore komunale.
“Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar me trazirat në komunat veriore, në komunat me shumicë serbe dhe e inkurajojmë edhe Kosovën që ta zgjidhë këtë çështje dhe së dyti jemi të gatshëm ta mbështesim dialogun Serbi-Kosovë. Është shumë me rëndësi në pikëpamjen tonë, Finlanda e ka mbështetur atë në mënyrë sistematike|, pati thënë ai më 1 qershor 2023.
Haavisto krahas të qenit deputet për kohë të gjatë në vendin e tij, nga viti 1999 deri më 2005 ka kryer detyra të ndryshme në programin e OKB-së për Mjedisin, UNEP, duke koordinuar edhe hulumtimin shkencor i cili hodhi poshtë teorinë konspirative se bombardimet e NATO-s mbi Jugosllavinë e ndotën tokën në Serbi, Mal të Zi e Kosovë me rrezatim të uraniumit të varfëruar.
Krahas përfshirjes me çështjet ambientale në botë dhe me rajonin e Ballkanit Perëndimor, Finlanda e ka caktuar atë në pozita të ndryshme që lidhen me sigurinë në Afrikë nga viti 2005 deri më 2017.
Ndërsa Peter Sorensen aktualisht mban pozitën e këshilltarit për diplomaci digjitale në Shërbimin e Jashtëm të BE-së.
Diplomati nga Danimarka ka përvojë të gjatë edhe në Kosovë e edhe në Serbi, ndonëse pozitat diplomatike i ka mbajtur më të ulëta sesa Haavisto.
Sorensen ka qenë pjesë e UNMIK-ut nga viti 2000 deri në vitin 2006.
Fillimisht kishte mbajtur pozitën e këshilltarit ligjor (2000), pastaj atë të këshilltarit të të dërguarit të sekretarit të përgjithshëm (2001-2002), e më pas të zëvendësshefit të shtyllës së tretë të UNIMK-ut për Rindërtim dhe Zhvillim (2002-2006).
Para luftës në Kosovë ishte këshilltar i shefit të misionit të OSBE-së në Kroaci.
E nga viti 2006 deri në vitin 2010 ai ishte përfaqësues personal i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Beograd, kohë kjo kur Kosova e shpalli pavarësinë.
Sorensen më pas ka shërbyer edhe si ambasador i BE-së në Maqedoni e në periudhën 2011 - 2014 ishte përfaqësues i lartë i delegacionit të BE-së në Bosnjë-Hercegovinë.
Para marrjes së pozitës së këshilltarit për Diplomaci Digjitale në BE, ai ka qenë shef i misionit të BE-së në zyrën e OKB-së në Gjenevë.