Arbëri

Karen Pierce, emisarja e re e Britanisë për Ballkanin Perëndimor

Karen Pierce

Britania e Madhe ka emëruar Karen Piercen si të dërguarën e re për Ballkanin Perëndimor. Detyrën do ta marrë në pranverë dhe do ta zëvendësojë Stuart Peachin, raporton “N1”.

Pierce është një nga diplomatët më me përvojë të Britanisë. Ajo ishte ambasadore e Britanisë në SHBA gjatë presidencës Trump dhe Biden. Gjithashtu ishte përfaqësuese e përhershme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara - gruaja e parë që u emërua në të dyja pozicionet.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, ka thënë se “Karen Pierce, me përvojën dhe ekspertizën e saj, është personi i duhur për këtë punë të rëndësishme”. Ai falënderoi Stuart Peachin për përkushtimin për t'i shërbyer dhe promovuar interesat britanike në Ballkanin Perëndimor gjatë tre vjetëve të fundit.

Lammy vuri në dukje se “Ballkani Perëndimor është rajon me rëndësi afatgjatë për Britaninë”, duke shtuar se partneritetet në rajon luajnë rol të rëndësishëm në luftimin e migracionit të parregullt dhe luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore.

Është njoftuar gjithashtu se Britania do të organizojë samitin e Procesit të Berlinit me liderët e Ballkanit Perëndimor në vjeshtë për të përmirësuar bashkëpunimin me rajonin në luftën kundër migracionit të parregullt.