Arbëri

Karantinimi i 4 komunave veriore shkakton huti tek shqiptarët

Një ditë pasi zëvendëskryeministri i Kosovës, Goran Rakiq, tha se 4 komunat veriore do të hyjnë në karantinë për një javë, e mërkura është dukur një ditë tjetër e zakonshme.

Qytetarë të shumtë janë parë duke lëvizur dhe qëndruar në grupe pa masa mbrojtëse.

Ata kanë mundur të qarkullojnë lirshëm nga veriu në jug dhe anasjelltas, derisa nuk është parë asnjë zyrtarë policor i cili ka kontrolluar hyrje-daljet në këtë zonë.

Megjithatë, banorët shqiptarë të veriut thonë të jenë të shqetësuar me këtë vendim.

Derisa kryetari i këshillit të veriut thotë se askush prej shqiptarëve nuk do ta respektojë asnjë vendim i cili nuk vjen nga institucionet e Kosovës.

Zv.kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, Bashkim Cimili, thotë se këto vendime u morën pa u pyetur institucionet e Kosovës.

Derisa ai thotë se mbrëmë janë parë pjesëtarë të policisë të cilët nuk kanë lejuar kalimin e banorëve nga veriu në jug.

Megjithatë, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se pas rritjes së numrit të të infektuarve në veri ka pasur kërkesë nga 4 komunat për kufizim të lëvizjes së qytetarëve dhe për vendosjen e karantinës si dhe se veprimi ka qenë i koordinuar.

“Duke qenë që në komunat në veri të Kosovës është vërejtur një rritje e numrit të personave të infektuar nga Covid-19, kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës i kanë kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që të kufizojë lëvizjen e qytetarëve në këto komuna dhe të bëjë karantinimin e tyre. Bazuar në këto kërkesa, MSH, përmes IKSHPK, u ka kërkuar zyrtarëve komunalë të këtyre komunave të dhëna epidemiologjike rreth Covid-19 për ta konfirmuar nevojën e kufizimeve, diçka që ata e kanë bërë. Pra, bëhet fjalë për veprime të koordinuara në bazë të informacioneve zyrtare rreth situatës epidemiologjike në atë pjesë”, është thënë nga kjo ministri.

Por, zëvendëskomandanti i stacionit policor në veri, Besim Hoti, përmes telefonit i ka thënë Kohës se ende nuk kanë ndonjë vendim apo rekomandimi për karantinimin e veriut.

Sipas Hotit, policia në veri po zbaton vetëm vendimin që ka të bëjë me kufizimin e punës së gastronomisë nga ora 21 deri në 5 të mëngjesit.

Një ditë më parë, përveç zëvendëskryeministrit Goran Rakiq, i cili tha se 4 komunat e veriut do të hyjnë në karantinë, ishte edhe Lista Serbe që tha se komunat e veriut do të respektojnë të gjitha masat e Qeverisë së Serbisë në luftën kundër koronavirusit.