Arbëri

Kaos në trafikun e Lipjanit

Rruga rajonale që lidh Shtimen me Lipjanin është e degraduar dhe punimet në të po zvarriten tash e disa muaj. Shoferët po i shfrytëzojnë rrugët e qytetit të Lipjanit duke shkaktuar kaos në trafik

Prej disa muajsh po zvarritet riasfaltimi i rrugës rajonale Shtime-Lipjan, financim i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vlerë mbi një milion euro.

Gjendja e degraduar e këtij aksi rrugor në gjatësi 10 kilometra po e vështirëson qarkullimin e automjeteve.

Shumë shoferë po i shfrytëzojnë rrugët e Lipjanit për ta anashkaluar një pjesë të rrugës rajonale e kjo po shkakton tollovi në qytet.

“Këtë rrugë vazhdimisht e bëj prej katër muajve, ndoshta pesë herë në ditë. Nuk e di qe sa ka filluar, por kjo po shihet, pastaj nuk është vetëm edhe kjo pjesë, por është edhe ajo tjetra pjesë në Shtime”, ka thënë Elton Nazifi, shofer kamioni. “Mandej edhe transiti që është duke e rregulluar mund të vini dhe ta shikoni se çfarë dëmesh janë duke na bërë në mjete, pastaj kohë na humbin”.

Është ankuar edhe një shofer tjetër.

“Tmerr është se çfarë kanë bërë këta, sepse këtu kemi defekte, ngadalësim të shpejtësisë. Kjo është në territor të Komunës dhe ajo e menaxhon projektin, e kanë gërryer asfaltin dhe e kanë lënë kështu në baltë. Minimum gjysmë ore me ardhur deri këtu, s’e di as 10 kilometra rrugë nuk i ka”, ka thënë Milaim Krasniqi.

Në Komunën e Lipjanit pranojnë se trafiku është kthyer në kaos.

Hyra Shabani-Bytyqi, zëdhënëse e Komunës së Lipjanit, tha se kolonat po bëhen edhe për shkak të një projekti tjetër që është duke u realizuar.

“Realiteti është që janë duke u realizuar dy projekte, një nga Ministria në rrugën kryesore Shtime-Lipjan dhe tjetra në qendër të qytetit, ku ka filluar ndërtimi i nënkalimit dhe parkingut nëntokësor dhe për këtë arsyeje është bërë kaos nga qytetarët dhe vozitësit, mirëpo si komunë po mundohemi ta kuptojmë këtë situatë derisa të përfundojë projekti nga të gjitha palët”, ka thënë Shabani-Bytyqi.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KOHES lidhur me zvarritjet e punëve në rrugën rajonale Shtime-Lipjan.