Vetëm një vit pasi ia anuloi një projekt për ndërtimin e një lagjeje në zonën e liqenit të Badovcit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e prezantoi arkitektin Përparim Rama si kandidat të kësaj partie për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e vjeshtës.
Ishte Rama dhe kompania e tij, “4M Group”, që bashkë me “Kawan” patën planifikuar një lagje në afërsi të liqenit të Badovcit. Por pas presionit të madh publik, ishte pikërisht Abdixhiku, atë kohë si ministër i Infrastrukturës që anuloi ndërtimin e kësaj lagjeje, duke u thirrur në Ligjin për Ujërat e Kosovës. MI-ja e pati obliguar Komunën e Prishtinës që të bënte anulimin e vendimit për kushtet ndërtimore të kësaj lagjeje. Rama atë kohë arsyetonte projektin duke thënë se nuk planifikon ta helmojë ujin.
Ndërkaq të shtunën, me disa fotografi nga afër objektit të Bibliotekës Kombëtare, Abdixhiku e prezantoi Ramën duke ia renditur të arriturat e tij në karrierën si arkitekt.
Ditë më parë, ishte nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, që konfirmoi se propozimi për Ramën kandidat ka ardhur direkt nga Abdixhiku.
Profili i Ramës:
Përparim Rama është lindur më 20.01.1976. Ka shtetësi kosovare dhe britaneze. Është me profesion arkitekt, ndërsa kualifikimet akademike dhe profesionale i kreu në Londër, nga ku hapi një kompani të quajtur ‘’4M Group’’, e cila merret me arkitekturë dhe dizajnime.
Ai është arkitekt i njohur ndërkombëtarisht. Ai ka deklaruar se është vlerësuar me disa çmime, ndërkaq puna e tij është botuar në disa revista ndërkombëtare të dizajnit përfshirë “London Building Design Magazine”. Ai ishte këshilltari specialist i ‘’Newham Council’’ dhe ‘’Tower Hamlets’’ në Londër për zhvillimin e mjeteve për planifikimin e hapësirës dhe arkitekturës për Lojërat Olimpike 2012 në Londër. Rama ishte zgjedhur në pozicionin e kuratorit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen e Arkitekturës së Venecias në Itali në vitin 2012.
Rama ka punuar këshilltar edhe në aeroportin e Southamptonit në Angli, teksa ka përvojë si mësues në shkollën e arkitekturës në Universitetin e Nottinghamit. Ai është gjithashtu këshilltar/kritik për marrjen e diplomave dhe MSc i Shkencave të Projektimit dhe Konfigurimit të Kompjuterit në Universitetin Lindor të Lonsdrës, pozicion të njëjtë që mban edhe në Shoqatën e Arkitekturës.
Përvoja e tij në këto fusha është mbi 20-vjeçare. Rama ishte udhëheqës i ekipit të projektit master plan për zhvillimin e fshatit ‘’Dhërmi’’ prej 10 hektarësh në jug të Shqipërisë. Ai ishte udhëheqësi për hartimin e planit rregullues për Prishtinë.
Rama ishte bashkë-investitor dhe projektues i ndërtimit të lagjes në liqenin e Badovcit. Projekti i kësaj lagje dështoi pa nisur fare ndërtimi pasi Lumir Abdixhiku, si ministër e Infrastrukturës dhe Ambientit asokohe, e anuloi vendimin. Abdixhiku është personi që e ka propozuar Ramën si kandidat të LDK-së për Prishtinën në Kryesinë e partisë. Këtë e konfirmoi nënkryetari Lutfi Haziri në emisionin ‘’DESK’’ të KTV-së të enjten.
Veprat e Ramës kanë bërë që mediumet e njohura botërore të interesohen për të. Gjashtë vjet më parë, ai dha një intervistë për CNN-in, duke rrëfyer sakrificat e tij si një refugjat në Britani, kur u largua nga Kosova qysh në moshën 16-vjeçare.
“Emri im është Përparim Rama dhe unë kërkova azil në Britaninë e Madhe në vitin 1992. Jeta në Kosovë nuk ishte aspak e lehtë. Të gjithë të rinjtë e asaj kohe merreshin me dhunë nga forcat policore dhe ushtarake serbe për t’u dërguar në luftën me kroatët apo boshnjakët, ndaj e pash të udhës që për mua ishte më e lehtë të vija në Britani e të kërkoja azil, sesa të përballesha me situatën e atjeshme”, pati treguar Rama. “Familjes time iu lanë vetëm 5 minuta në dispozicion për të marrë ç’të kishte mundësi e të largohej. Kështu që mamaja ime mori vetëm një album fotografik të familjes dhe babai, si një piktor dhe pedagog artesh, mori punimet e tij më të mira. Prej aty shkuan në Maqedoni dhe më vonë për në SHBA”.