Kanalet e hapura në Pejë, përveç ujërave të reshjeve atmosferike, janë bërë akumulues edhe të mbeturinave të shumta, të hedhura nga banorët.
Këto mbeturina pastaj barten në derdhjet e kanaleve jashtë qytetit, duke mbuluar kësisoj sipërfaqe të tëra tokash bujqësore.
Me një problem të tillë po përballen tash e sa vjet banorët e paralagjes së Pejës, Katundi i Ri. Prapa kamerës, ata për këtë ndotje fajësojnë banorët e qytetit.
Ky problem është përfshirë edhe në raportin e Komisionit Komunal për Mjedis, sipas të cilit vetëdija e banorëve për mbrojtjen e ambientit është jashtëzakonisht e ulët.
“Fenomen jashtëzakonisht i keq për gjithë neve është se kanalet e hapura të cilat janë në qytet, të cilat e kanë rolin e bartjes së ujit të pastër e kurrsesi të ujërave të zeza apo edhe të mbeturinave, janë duke u keqpërdorur në masë të madhe”, ka thënë Nazmi Ibërdemaj, kryetar i këtij komisioni.
Ibërdemaj e sheh të domosdoshme ndërmarrjen e veprimeve emergjente nga komuna, të cilës ky komision i ka propozuar që në vendet ku zbrazen kanalet të hapet ndonjë basen që mbledh mbeturina, ose të vendosen rrjeta që ndalin mbeturinat.
“Ideja tjetër është që popullatës me i thënë: o popull, ndaluni mos hidhni mbeturina ku nuk duhet! Ta mbrojmë ambientin gjithë se bashku dhe ta kemi një jetë më të shëndetshme”, ka deklaruar ai.
Përgjegjës për pastrimin e kanaleve dhe të hapësirave ku ata derdhin mbeturina është Komuna, e cila, sipas drejtoreshës së Shërbimeve Publike, Xhevahire Çeku-Kelmendi, i ka parasysh problemet që janë shkaktuar në atë lokacion nga mbeturinat dhe ndërkohë do të angazhojë një kompani për largimin e tyre.
Gjithashtu Komuna planifikon që të vendosë edhe rrjeta nëpër kanalet e hapura për ndalimin e mbeturinave.
Për mbrojtjen e mjedisit dhe gjobitjen e hedhësve të mbeturinave inspektorët e ambientit nuk kanë qenë aq aktivë në terren dhe këtë e pranon drejtori i Inspektoratit Komunal, Leotrim Murtezaj, i cili jep edhe arsyen.
“Të gjithë inspektorët komunalë kanë qenë të angazhuar në ndërmarrjen e masave parandaluese për Covid. Edhe kjo ka qenë arsyeja pse ne në kohën e fundit nuk kemi mundur shumë me tregua rezultat në mbrojtjen e ambientit”, ka thënë Murtezaj.
Murtezaj pohon se sivjet kanë filluar sërish ndarjen e përgjegjësive nëpër sektorë dhe ai beson se për një kohë të shkurtër do ta fusin sërish situatën nën menaxhim.